Zemaj: Për 3-4 ditë fillon rritja e kapaciteteve testuese për COVID-19

Janë bërë një muaj që kur ministri i shëndetësisë Armend Zemaj ka deklaruar se synojnë që të kryejnë mbi 3,000  teste në ditë për COVID-19.

Por, edhe tash pas një muaj, kjo shifër nuk ka arritur as në 600.

Zemaj në pyetjen e KALLXO.com se kur planifikon ministria që shifrat e testimit të rriten, tha se ndoshta nuk do të ketë nevojë për aq testime duke e ndjekur trendin e rënies së rasteve në ditët e fundit.

“Jemi duke ecur mirë sa i përket pajisjeve dhe shtrirjes së numrit të testimeve dhe besoj që edhe sipas shifrave që edhe ju i potencuat ndoshta edhe nuk do të kemi nevojë, por edhe nëse kemi nevojë aty mund të mbërrijmë shumë shpejt d.m.th brenda javës”

Tutje, Zemaj ka thënë se gjatë ditës së djeshme janë vendosur edhe dy aparatura RT PCR në IKSHPK për kryerjen e testeve, ndërsa një tjetër në Graqanicë.

Këto aparatura sipas ministrit, ende nuk janë të çertifikuara dhe nevojiten edhe tre ose katër ditë për t’u çertifikuar dhe të fillojë rritja e kapaciteteve testuese.

“Plani i veprimit ka filluar së zbatuari më 28 korrik jemi në një muaj procedura, procedurat janë ligjore në ngritjen e kapaciteteve testuese. Dje janë vendosur dy aparatura të reja PCR në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe një është vendosur në Graqanicë, do të thotë kemi tri aparatura të reja që konsiston në trefishimin e rritjes së numrit të testimeve, por për të filluar këtë duhet çertifikimi i këtyre aparaturave, sigurisht brenda tre apo katër ditëve do të fillohet rritja e këtyre kapaciteteve”, ka deklaruara Zemaj.

Gjithashtu ministri njoftoi se Ministria e Shëndetësisë është në procedurë të blerjes së shtatë aparaturave testuese për COVID-19 me metodën PCR, të cilat do të vendosen në Qendrat Rajonale të IKSHPK

“Në procedurë janë edhe shtatë aparatura të reja të cilat do të vendosen në gjashtë qendrat rajonale dhe një tjetër do të shtohet në IKShPK, këto aparatura gjenden në procedura të prokurimit”, tha tutje Zemaj në konferencë.

Në anën tjetës, 1 mijë e 361 testime sipas metodës RT PCR janë kryer në laboratorin privat Medical Laboratory Service për një periudhë afërsisht një mujore.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, i cili i kanë bërë të njohura këto të dhëna për KALLXO.com, në laboratoret private të licencuara në Kosovë po kryhen mesatarisht 130 testime në ditë me metodën PCR.

Deri më sot Ministria e Shëndetësisë i ka licencuar 4 laboratore për të kryer testime me metodën RT PCR.

Laboratori “UBT” në Lipjan, dhe laboratori mjekësor i mikrobiologjisë klinike “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë janë të vetmit që po testojnë aktualisht me këtë metodë., ndërkaq dy laboratorët e tjera të licencuara për këtë mënyrë testimi, Laboratorit Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike ” Mikrobioanliza” në Prishtinë dhe  laboratori ‘Olive’ ën Prishtinë ende nuk kanë filluar me kryerjen e këtyre testeve.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj disa herë ka premtuar  se do të rriten kapacitetet e testimeve për COVID-19, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Tash e disa muaj që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19, në Kosovë ende nuk është arritur numri i mbi 600 i testimeve ditore.

Në disa konferenca, mbledhje të komisioneve e deklarata në Facebook, Zemaj ka premtuar se do të rriten kapacitetet testuese.

Zemaj derisa po raportonte para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ka thënë se synojnë që të kalojnë numrin e 3 mijë testimeve brenda ditës.

“Nëse ne brenda një kohe të shkurtër arrijmë që në institucionet tona publike dhe i ofrojmë në laboratorët tanë publik, në gjashtë qendrat regjionale dhe duke e fuqizu apo dyfishu kapacitet në IKSHPK dhe në Klinikën Infektive, atëherë si shërbime të ofruara në institucionet publike ne do të mbërrim maksimumin dhe plotësimin e të gjitha nevojave”, kishte deklaruar ai.

Njëjtë ishte deklaruar edhe kur ka nënshkruar udhëzimet administrative për lejimin e kryerjes së testimeve në laboratoret private, me 14 korrik.

“Kam nënshkru bordin e ri për pjesën për COVID-19 të laboratorëve privat dhe menjëherë sot do të fillojnë institucionet publike që ta rrisin numrin e testimeve edhe komuna e Prishtinës është në pritje të testimeve”, ishte shprehur Zemaj.

Për të njëjtën rritje Zemaj kishte propozuar edhe “Planin për rritjen e testimeve për COVID-19”, të cilin e kishte miratuar edhe Qeveria e Kosovës në fillim të muajit korrik.

“Grupi profesional i Ministrisë së Shëndetësisë u përcaktua  për një plan të veprimit që është rritja e mbulueshmërisë së popullatës me testime për COVID-19”, ka thënë Zemaj.

Premtime për rritje të testimeve Zemaj kishte bërë edhe në muajin qershor.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte deklaruar se do të vazhdojnë të forcojnë përgjigjet ndaj pandemisë së coronavirusit, mes tjerash edhe përmes rritjes së numrit të testimeve.

“Në rrafshin e monitorimit të situatës epidemiologjike dhe mbajtjes nën kontroll të saj, Minsitria e Shëndetësisë dhe IKShPK do të vazhdojnë të forcojnë përgjigjet ndaj pandemisë, përmes gjurmimit aktiv të rasteve, rritjes  së testimeve, izolimit të rasteve pozitive dhe kontaktit dhe trajtimit të të prekurve qoftë në mënyrë spitalore apo tretmanit shtëpiak”, ishte deklaruar Zemaj.

“Po punojmë që masat tjera si bartja e maskave, distancë fizike, higjiena individuale e kolektive të bëhen pjesë e një zbatimi aktiv dhe normë që duhet respektuar nga të gjithë”, kishte shtuar ministri.

Zemaj kur është pyetur së fundmi se  kur do të fillohet të rritet numri i testeve brenda ditës në nivel vendi, nuk ka dhënë ndonjë datë.

Ai ka thënë se janë në fazën e blerjes së pajisjeve të reja për kryerjen e testimeve për COVID-19.

“Jemi në finalizim të marrjes së aparaturave edhe nga blerjet e Ministrisë së Shëndetësisë edhe nga OBSh-ja të cilat janë të garantuara në ardhje tri aparatursa për testet PCR, shtatë aparatura që janë në blerje e Ministrisë së Shëndetësisë, po ashtu për PCR por edhe për shtatë aparatura për testime serologjike”, potencoi Zemaj.

Ai gjithashtu theksoi se ka nënshkruar udhëzimin administrativ edhe për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë.

“Kam nënshkru edhe udhëzimin administrativë edhe për QKMF-të që çdo komunë në QKMF-të e tyre kryesore mund të ndërtoje edhe laboratore edhe të japin edhe ata shërbimet e testimeve serologjike”, theksoi Ministri.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se deri në fund të këtij viti është menduar t’i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19.

Megjithatë, edhe pas licencimit të laboratorëve privatë, në njoftimet ditore të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nuk është rritur numri i testimeve të kryera brenda 24 orëve –mesatarisht  deri në 500 në ditë.

Që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, numri total i rasteve pozitive është 12.981, nga 49.277 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 498 raste të vdekjes.

Krypometri edhe më herë e ka matur deklaratën e kryeministrit të Kosovës për testime masive për popullatën.

Në fjalimin e parë si kryeministër, Avdullah Hoti kishte premtuar testime masive për COVID-19.

“Kjo infrastrukturë duhet të ketë këto karakteristika: e para, të ketë kapacitete për të kryer numër shumë të madh testesh, si virologjike, ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike, me procedura të shpejta që aktivizohen në rast të sinjalit se epidemia mund të shpërthejë”, kishte thënë Hoti me 3 qershor, në ditën kur është zgjedhur kryeministër.

Hoti kishte premtuar se testime edhe në institucionet private shëndetësore e madje edhe vet-testime.

“Duhet të bëhet decentralizimi i kapaciteteve testuese në spitale rajonale, në kujdesin parësor dhe në institucione private shëndetësore, duke marrë në konsideratë edhe vendosjen e stendave të vetë testimit në publik, me të cilat do të ulej presioni ndaj sistemit tonë shëndetësor. Kjo qasje mundëson që lehtë dhe shpejt të bëhen testime për grupet e rrezikuara, për personat që kujdesen për pacientët me sëmundje kronike dhe për personat asimptomatikë ose ata që janë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara”, kishte thënë Hoti.

Premtimet nuk janë ndalur. Së fundmi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar strategji të re të testimeve për COVID-19. Zemaj ka përmendur synimin që të shkohet me testimet në masë për coronavirusin.

“Jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me testime në masë”, theksoi ministri Zemaj të hënën në një konferencë për media.

Premtimi bosh për rritjen e numrit të testimeve për COVID-19