Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj paraqet propozimin për Projektligjin e ri për shëndetësi, tregon çështjet që synon t'i rregullojë

Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka njoftuar sot se ka paraqitur propozimin për Projektligjin e ri për shëndetësi.

Zemaj në një konferencë për media tha se shëndeti i qytetarëve  nuk duhet të jetë betejë politke.

“Unë sot do të paraqes para juve propozimin për Projektligjin e ri për shëndetësi, duke marrë parasysh që shëndeti i mirë dhe dinjiteti i profesionistëve shëndetësor duhet të na bashkojë. Shëndeti i  qytetarëve tonë nuk duhet të jetë betejë politike”, u shpreh Zemaj.

Ai tha se në  këtë projektligj kanë punuar dhe janë konsultuar shumë profesionistë shëndetësorë të fushës me qëllim të avancimit dhe përmirësimit të sistemit shëndetësor të vendit.

Zemaj tutje theksoi disa çështje që rregullon Projektligji i ri për shëndetësi.

“Propozon sistem funksional shëndetësor dhe të zbatueshëm, decentralizon dhe bën të zbatueshëm sistemin dytësor shëndetësor, funksionalizon pavarësinë e shërbimeve mjekësore tretësore përmes QKUK, përcakton ofruesit e shërbimeve shëndetësore, mundëson marrjen e specializimeve terë kohën të profesionisteve me vetëfinancim, avancon shërbimin shëndetësor të burgjeve, rregullohet çështja e funksionimit të odave të profesionisteve shëndetësor etj”, ka thënë Zemaj.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Armend Zemaj tha se për Projektligjin për shëndetësi ka marrë mbështetje edhe nga deputetët tjerë nënshkrues.

“Kam kënaqësinë të procedoj projektligjin për shëndetësi për të cilin kam marrë mbështetje edhe nga deputetët tjerë nënshkrues. Uroj dhe shpreso që ky projektligj të gjej mbështetje edhe nga shumica parlamentare pavarësisht që vjen nga një deputet i opozitës”, ka thënë tutje Zemaj.

Zemaj ka folur edhe për ndërtimin e qendrës emergjente. Ai tha se do ta përkrahin ministrin e Shëndetësisë për finalizimin e saj.

“Emergjenca që është ndërtuar dhe ka vite që është në atë gjendje mendoj që duhet të finalizohet dhe të jetë në shërbim të pacienteve, mënyra se si do ti qaset ministria besoj që do ta ketë edhe përkrahjen tonë edhe në kërkesën buxhetore”, tha ai.

Zemaj tha se ky ligj në përmbajtjen e tij ka 128 nene dhe se do të jetë lehtë i zbatueshëm në të mirën e qytetarëve.