Zemaj paralajmëron masa të reja

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar masa të reja në kuadër të luftës kundër COVID-19.

Kjo është e ditur nga takimi që zhvilloi sot me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve Petrit Kllokoqi, si dhe Hysen Sogojeva kryetarin e Odës Hoteliere të Kosovës.

Sipas njoftimit të Zemajt, rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i diskutojë me kryeministrin Hoti, në mënyrë që sipas tij, masat e marra nga Qeveria të prekin “sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë”.

“Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë  t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid19…Janë të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, por të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik”, ka shkruar ministri në rrjetin social “Facebook”, të dielën.

Sot nga 1.794 mostra të marra brenda 24 orëve, 730 kanë rezultuar pozitiv.

Vetëm në Prishtinë janë 312 raste pozitive me Covid 19.

Qeveria ka marrë vendim të premten që të mbyllen bizneset në vikend deri nesër në orën 05:00 të mëngjesit.

Gastronomët gjatë ditës së djeshme në shenjë pakënaqësie kanë protestuar me lugë dhe tenxhere para lokaleve të tyre në Prishtinë.

Qeveria miraton masat e reja anti-COVID