Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Zemaj: Pajisjet që shërbejnë për lëvizje do të mbulohen nga shteti

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjatë vitit 2020, kanë hartuar draft udhëzimin administrativ për hartimin e listës dhe llojet e pajisjeve ndihmëse falas për personat paraplegjik dhe tetraplegjik që shërbejnë për lëvizje, parandalim dhe asistim bazuar me ligjin për statusin dhe të drejtat për personat me aftësi të kufizuar.

“Ky draft ka marrë aprovimin tim dhe të zyrës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar brenda MSh”, tha Zemaj.

Sipas tij ky projektligj planifikohet që shumë shpejt të aprovohet në qeveri.

“Pajisjet që shërbejnë për lëvizje të mbulohen nga shteti përmes buxhetit të shtetit”, tha ai.

Zemaj tha se e përkrah plotësisht rezolutën dhe debatin parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës.

Adresimet që do të jenë për Ministrinë e Shëndetësisë, Zemaj tha se do t’i marrin dhe do t’i trajtojnë sipas legjislacionit dhe detyrave kushtetuese.