Zemaj: Numri i rasteve më COVID-19 është shqetësues, por situata është e menaxhueshme

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë që shifrat e sotme me 129 raste të reja me COVID-19 janë shqetësuese, por që sipas tij situata vazhdon të jetë nën kontroll.

“Numri është shqetësues, duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj situatës, është e menaxhueshme, nuk kemi problema nga Instituti për adresimin e pikave të kontaktit”, ka thënë Zemaj në RTV Dukagjini.

Sipas Zemajt, rritja e numrit të rasteve është për shkak të pakujdesisë së treguar pas lirimit të masave.

“Ky numër sot ka treguar pakujdesinë tonë të përgjithshme pas lirimit të masave, dita e sotme ka qitë në sipërfaqe lirinë e tepruar, ky numër duhet të analizohet, mirë është që situata është e menaxhueshme dhe është nën kontrolle”, tha ai.

Sot më 15 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 385 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 129 raste.

 

129 raste të reja me COVID-19 në Kosovë