Zemaj: Numri i personelit në Onkologji është i pamjaftueshëm

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj i cili po ashtu është edhe ish ministër i Shëndetësisë ka folur për muajin e sensibilizimit që ka të bëjë më luftën kundër kancerit të gjirit.

Ai ka thënë se numri i personelit në Klinikës e Onkologjisë është i pamjaftueshëm dhe se Qeveria duhet të ketë në vëmendje rritjen e këtij personeli.

“Numri i personelit në Onkologji mendoj se është i pamjaftueshëm dhe se Qeveria duhet ta ketë në vëmendje sidomos tash kur të fillojë hartimi apo draftimi i buxhetit për vitin e ardhshëm sepse nuk e kemi dëgjuar këto ditë fare një qasje produktive sa i përket kësaj sëmundje të rëndë”, tha ai.

Ai tregoi se vitin e kaluar është miratuar një rezolutë e cila e ka obliguar Qeverinë e Republikës së Kosovës që të përmbush disa specifika, të cilat fillojnë nga identifikimi dhe parandalimi i hershëm por edhe ngritja e kapaciteteve të domosdoshme për trajtimin e kancerit të gjirit.

Po ashtu, Zemaj tha se është kërkuar që të ketë mamografi për të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë.

“Do ta ngre këtë çështje edhe si deputet të kësaj legjislature”, tha ai.

Zemaj tha se duhet të sigurohen medikamente të mjaftueshme për trajtimin e kancerit të gjirit dhe po ashtu proteza për gratë të cilat nuk mund t’i sigurojnë ato e  që kanë qenë të operuara.