Deputeti Armend Zemaj në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit; Foto: Screenshot nga transmetimi i Kuvendit

Zemaj – Nagavcit: Nuk interpretohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës ia dha një këshillë ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për mësimin alternativ në Kamenicë.

“Ministre, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë kemi të bëjmë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet kanë fuqi detyruese dhe përfundimtare. Vendimet e Gjykatës nuk interpretohen, ju po gaboni që po hyni në këtë pjesë, kjo mund të lejohet në kuptimin politik të saj”, tha Zemaj.

Sipas tij, me këtë krijohet një klimë që çdo kush t’i interpretojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Unë ju kisha lut mos lejoni të kaloni në një gjendje të tillë kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm që atakohen në këtë formë, por tentohen të interpretohen nga ata që se kanë mandat interpretimin”, tha Zemaj.

Gjykata Kushtetuese më 8 prill, e ka shpallur jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MAShTI përmes vendimit “ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”.