Zemaj: Masat e ndërmarra nga Qeveria kanë filluar të prodhojnë rezultate pozitive

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në menaxhimin e pandemisë COVID-19 kanë filluar të prodhojnë rezultate pozitive.

“Ky është rezultat i kujdesit që keni manifestuar ditëve të fundit duke bartur maska mbrojtëse, ruajtur distancën fizike, mbajtur higjienën personale e kolektive dhe mbi të gjitha duke ngritur nivelin e përgjegjësisë dhe të sjelljes përballë një rreziku siç është COVID-19”, ka shkruar në Facebook.

Zemaj ka thënë se presin që këto rezultate të përmirësohen edhe më tej.

“Ndërsa, përgjegjësia na thërret që të vazhdojmë me disiplinë, kujdes, zbatim edhe më rigoroz të masave e rekomandimeve të profesionistëve me qëllim që puna e personelit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera të lehtësohet dhe shëndeti i popullatës të ruhet”, ka përfunduar Zemaj.

Aktualisht në Kosovë janë 5,472 të infektuar, 2,640 të shëruar dhe 130 të vdekur.