Zemaj: LDK do të jetë shumë e fuqishme në zgjedhjet lokale

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë se tema kryesore e diskutimit ishin zgjedhjet lokale dhe propozimin e kandidatëve për kryetarë komunash.

Zemaj në një prononcim për media deklaroi se shumica e kryetarëve aktualë në komuna janë rikandiduar.

“U dha vlerësimi për disa komuna për funksionimin, avancimin e tyre. Ishte një numër i të nominuarve për kryetar. Shumica janë rikandiduar. Diskutuam për organizimin nëpër degë, përgatitjen për asamble, forumin e gruas, forumin e rinisë, raportuan grupet punuese të cilat kanë punuar gjatë këtyre ditëve për fuqizimin e LDK-së dhe ecjen e mëtutjeshme”, ka thënë Zemaj.

Tutje ai shtoi se ka besim të plotë se Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë shumë e fuqishme në zgjedhjet lokale.

Data e zgjedhjeve lokale ende nuk është dekretuar nga ana e presidentes.

Javën e kaluar, presidentja e vendit ka mbajtur takim me të gjitha partitë lidhur me datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.