Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj-Kurtit: Kokën si struci në Kosovë e bishtin e mban lart në Shqipëri

Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, për votimin në Shqipëri.

Zemaj ka përmendur vdekjet në 24 orët e fundit, duke thënë që Qeveria nuk është duke punuar në sigurimin e vaksinës anti-COVID-19.

“Kokën si struci në Kosovë e bishtin e mban lart në Shqipëri. 4 vdekje sot si pasojë e Covid-19, asnjë vaksinë për të shpëtuar jetë njerëzish, madje as edhe një fjalë, veprim apo ndjenjë përgjegjësie e kryeministrit të Kosovës për qytetarët e vet”, ka shkruar Zemaj në facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

Kurti ka ftuar të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave.

“Dita është e bukur, e diel, me diell, moti është i mirë, dhe kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj sa më shumë ditë të bukura për Shqipërinë dhe secilin njeri që e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë“, ka theksuar Kurti pasi ka hedhur votën në kutinë e votimit.