Deputeti Armend Zemaj - Foto: Facebook/ArmendZemaj

Zemaj - Kurtit: A do të mbash takimin me Vuçiqin?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Albin Kurti në lidhje me takimin i cili është planifikuar të mbahet këtë muaj mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ishte interes i joni ta dimë se a do të ketë takim në qershor dhe eventualisht a janë plotësuar kriteret nga rezoluta e Kuvendit dhe thirrjet e Vetëvendosjes që nuk do të ketë takim pa kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, pa paguar apo marrë përgjegjësinë për dëmet e luftës dhe pa kthimin e të pagjeturve”, tha Zemaj.

Tutje ai shtoi se nëse do të mbahet një takim i tillë cila është përgjegjësia e LVV-së për sulmet, etiketimet të cilat siç tha Zemaj kanë ndodhur në të kaluarën.

“Nëse nuk do të ketë takim do të mbesim me shpresë që do të mbahen fjalët dhe këto premtime do të realizohen para takimit  me vazhdimin e asaj që është quajtur politikë e kasapit të Ballkanit zëdhënësit të Millosheviqit, Aleksandar Vuqiq”, tha Zemaj.