Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Zemaj kërkon nga prindërit dhe personeli arsimor të tregohen të përgjegjshëm në respektimin e masave

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar nga prindërit dhe personeli arsimor që të tregohen të përgjegjshëm dhe të përpiktë në rëspektimin e masave ndaj COVID-19.

“Çdo neglizhencë e rekomandimeve anti COVID, rrezikon shëndetin e përgjithshëm dhe nuk do të tolerohet”, ka shkruar Ministri Zemaj në Facebook.

Ai ka njoftuar se dje ka vizituar dy shkolla në Prishtinë dhe në Vushtrri ku ka parë për së afërmi përgatitjet për mësim.

Ndërsa ka kritikuar pamjet e publikuara nga disa shkolla ku shihet neglizhencë në respektimin e masave parandaluese.

“Është për keqardhje pamjet e publikuara nga disa shkolla tjera për neglizhencën e masave nga disa prindër dhe arsimtarë, të grumbulluar para dyerve të shkollave, pa maskat mbrojtëse”, është shprehur tutje.

Numri i rasteve me coronavirus është në rënie javëve të fundit.

Dje në Kosovë janë regjistruar 55 raste të reja me COVID-19 ndërsa janë shëruar 150 të tjerë.

Në nivel vendi janë të regjistruar 14 mijë e 692 raste me SARS-CoV-2, 11 mijë e 585 janë shëruar dhe 600 të tjera kanë vdekur.