Zemaj: Jemi ndër pesë vendet me situatën më të mirë pandemike në Evropë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot është takuar me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të diskutuar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së COVID-19.

Numri i rasteve pozitive nga COVID-19 është rritur javëve të fundit, por Ministri Zemaj thotë se Kosova është ndër pesë vendet me situatë më të mirë pandemike.

“Jemi ndër pesë vendet me situatën më të mirë pandemike në Evropë, jemi në limitet për të hyrë në zonën  e portokalltë akoma jemi në zonën e gjelbërt dhe asnjëherë nuk dëshirojmë që të kthehemi as në të portokalltën as në as në të kuqen”, tha Zemaj.

Në anën tjetër, Kryetari Ahmeti, thotë se qëllimi i këtij takimi me Ministrin është që të punojnë bashkë në mënyrë që të mos ketë restrikcione shtesë, pasi që sipas tij nuk janë të interesuar që vendi të hyjë në karantinë.

“Qëllimi i këtij takimi është që të punojmë bashkë për të mos pasur restrikcione shtesë, kjo nuk varet vetëm nga ne por nga qytetarët. Nuk jemi të interesuar të bëjmë karantina ose reduktime të orareve. Ju e dini që unë dje kam ngritur një alarm për shkak se ne para një muaji kemi pasur një krizë më të madhe të cilën vendet tjera nuk e kanë pasur dhe filluan të na thonë se jemi vendi i parë në Evropë, tani është një krizë e re ku mund të vërehet nga vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Çekia, krizë kjo që mund të çojë drejt mbylljes,” u shpreh Shpendi.

Instituti Kombëtari i Shëndetësisë Publike, dje ka njoftuar se në nivel vendi janë regjistruar 205 raste të reja të infektimit me SARS-C0V-2, kështu duke dërguar numrin total të të infektuarve në 18 mijë e 148.

Numri i pacientëve të cilët po kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive gjithashtu ka filluar të rritet.

Rritet numri i pacientëve me COVID-19 në Klinikën Infektive