Foto: KALLXO.com

Zemaj i pakënaqur me punën e Inspektoratit Sanitar

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është shprehur i pakënaqur me punën e Inspektoratit Sanitar.

Zemaj ka thënë se do të kërkojnë raport nga ky inspektorat për shkak se po çalohet në inspektimin e mbajtjes së maskës dhe distancës.

“Sot do të kërkojmë një raport nga Inspektoratit Sanitar pasi kemi parë që po mungon distanca sociale e mbajtja e maskave. Duhet inspektim rigoroz”, ka shtuar Zemaj.

Ai ka potencuar se duhet të vazhdohet zbatimi i vendimeve të Qeverisë dhe të ketë mbikëqyrje rigoroze në të gjitha degët e ekonomisë e në të gjitha fushat.

Ministri Zemaj theksoi se COVID-19 është nën kontroll në Kosovë.

“Gjendja e pandemisë në vendin tonë është nën kontroll dhe nuk ka vend për alarm. Puna jonë është lavdëruar edhe në vendet e tjera. 6,639 raste aktive apo 10% e numrit të të infektuarve”, ka thënë ai.

Po ashtu, Zemaj tha se angazhimi për sigurimin e vaksinës për 75% të popullsisë po vazhdon intensivisht.