Zemaj i dorëzon postin Vitisë

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka dorëzuar postin e ministrit të Shëndetësisë, ministrit të ri Arben Vitia.

Zemaj përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur dorëzimin e detyrës.

“Ministria e Shëndetësisë në këtë kohë pandemie është sfida më e madhe për çdo drejtues të saj, dëshmi të saj e kemi edhe punën tonë të jashtëzakonshme e të matshme, e cila është gjurmë orientuese dhe përcaktuese për të bërë më të mirën për shëndetësinë. Puna e madhe e bërë deri më sot, do të jetë më e lehtë të vazhdohet. Pandemia ishte fokusi ynë”, ka shkruar ai.

Deputetë e Kuvendit të Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar dje për Qeverinë e re të vendit.

Po ashtu dje është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar Kuvendi është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

Në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën e Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,28%.