Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj e akuzon Avdylin për monopol, e pyet sa mijëra euro i fiton për një operacion - VIDEO

Dy ish partnerët partiak, Armend Zemaj e Haxhi Avdyli me tone të larta kanë diskutuar rreth procesit të specializimeve, në komisionin për shëndetësi.

Avdyli ka deklaruar se ky proces është dëmi më i madh që i është shkaktuar shëndetësisë kosovare, ndërsa Zemaj ka akuzuar ish partiakun se ka krijuar monopol me shërbimin e tij prej neurokirurgu.

“Dëmi më i madh që është bërë, i pariparueshëm që ka ndodhë në vitin 2020 është ndarja e specializimeve. Ndarja e specializimeve pa kriter, pa plan duke marrë punëtorë shëndetësor nga Shëndetësisa Primare dhe futja e tyre në klinika që në kohën e pandemisë janë mbyllur ose i kanë reduktu punët sepse nuk kanë kapacitete këto klinika për t’i shkolluar këta specializantë si Klinika e Oftalmologjisë e Klinika e Neurokirurgjisë në kohë të pandemisë të jepen specializime mbi 1500 me të vërtetë ne sherrin e kësaj politike do ta shohim pas 6 vjete”, është deklaruar Avdyli.

Armend Zemaj ka deklaruar se këto deklarata të Avdylit janë të pavërteta ndërsa ka akuzuar se ka krijuar monopol me spitalin e tij privat.

“Marre se është rren. Ki kriju monopol atje në privat. Logjika jote a ka shkatërru këtë sepse ke dasht me kriju monopol me qenë i vetmi neurokirurg, m’i shfrytëzu qytetarët. Sa pare I merr për një operacion, 5 mijë euro!?”, ka pyetur Zemaj.

“10 mijë euro”, është përgjigjur shkurt Avdyli.

Në komisionin për Shëndetësi ka raportuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, rreth menaxhimit të pandemisë dhe procesit të  i vaksinimit anti COVID si dhe strategjisë Legjislative të  Ministrisë së Shëndetësisë.