Zemaj: Duhet të kthehen shërbimet në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se duhet të rritet efikasiteti i shërbimeve spitalore, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të marrin shërbime jashtë vendit.

Ai u zotua se do të insistojnë maksimalisht që asnjë mjek në Kosovë të mos mbetet i papunë.

Këto deklarata, ministri i bëri gjatë takimit me drejtorët e klinikave të QKUK-së, derisa tha se qëllimi i këtyre takimeve është që të jenë së bashku në këtë kohë dhe të koordinojnë aktivitetet në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Zemaj theksoi se në kohën në të cilën Kosova po kalon, marrë parasysh që tash njihemi me virusin, duhet të kthehen shërbimet në Qendrën klinike Universitare të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se sot do të adresohen tri tema: Menaxhimin e pandemisë, ngritja e disiplinës dhe planet e rikthimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët.

Ai ka falënderuar të gjithë mjekët e drejtorët e klinikave të QKUK-së për punën dhe menaxhimin e pandemisë gjatë këtyre muajve./21media