Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Zemaj: Do të bëjmë gati "spitalin për COVID-19" me 500 shtretër në Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se në ditët në vijim do ta bëjnë gati “spitalin për COVID-19”, me 500 shtretër, në Prishtinë.

“Përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me SARS COVID-19, ne po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati “Spitalin për COVID-19”, me 500 shtretër në Prishtinë”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Më tej ai ka treguar se janë duke komunikuar me COVAX dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë për sigurimin e vaksinës së mundshme kundër COVID-19.

Ministri Zemaj është shprehur se janë nën presion nga bizneset për shkak të mosvotimit të “Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike”.

“Mos-miratimi i Projektligjit po rrezikon mbijetesën e shumë bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve. Është shqetësuese dhe për keqardhje, sepse po ndodh, për shkak të tekeve të disa deputetëve”, ka përfunduar Zemaj.