Zemaj: Ditëve në vijim do të licencohen edhe laboratorë të tjerë për testime për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka dhënë detaje të tjera për licencimin e klinikave private në të cilat do të kryhen teste për COVID-19.

Ai ka thënë se licencimi ka qenë i nevojshëm ndërsa paralajmëroi se do të ketë edhe licencime të tjera.

“Licencimi i institucioneve private shëndetësore për kryerjen e testeve SRS-Cov-2 ka qenë më se i nevojshëm dhe si proces tërësisht do të përfundojë gjatë kësaj jave, me shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës”, tha ai në një status në Facebook.

Sot gjatë ditës u bë publike lista e 29 laboratorëve për testim të mostrave për COVID-19, që janë institucione private.

“Deri më tash, Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore ka shqyrtuar 34 aplikacione (nga mbi 100 sa kanë aplikuar) të institucioneve private shëndetësore, të cilat kanë bërë kërkesa për lejimin e shërbimit të testimeve për SARS-Cov-2. Bordi ka konstatuar se 29 prej këtyre institucioneve i plotësojnë kriteret për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2. Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të kryejnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT-PCR)”, tha tutje ministri i Shëndetësisë.

Zemaj paralajmëroi se do të ketë edhe licencime të reja.

“Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore po vijon me shqyrtimin e aplikacioneve të institucioneve private dhe gjatë javës do të publikohen edhe emrat e institucioneve të tjera, të cilave do t’u lejohet kryerja e testeve për SARS-Cov-2”, shkroi ai në rrjetin shoqëror Facebook.

Për të parë se si po shkon përgatitja nëpër këto institucione private ai tha se nga nesër inspektorët do të kontrollojnë ato.

“Nga nesër, Inspektorati Shëndetësor do të kryejë inspektime në institucionet të cilave u është lejuar kryerja e testimeve, për të parë nga afër gatishmërinë e tyre për t’i kryer testimet dhe për t’i verifikuar të dhënat e prezantuara nga këto institucione me rastin e aplikimit dhe dhënies së Deklaratës nën betim për kushtet e plotësuara për kryerjen e testimeve sipas Udhëzimit Administrativ 01/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 09/2014, Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private shëndetësore jashtëspitalore dhe Udhëzimit Administrativ 02/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 06/2015 Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore”, tha në fund Armend Zemaj.