Zemaj del të kontrollojë qendrat tregtare për ‘Black Friday’

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, bashkë me policinë dhe inspektoratin ka vizituar sot një qendër tregtare me rastin e parandalimit të eventit ‘Black  Friday’.

Zemaj ka thënë se shëndeti qytetar është më i rëndësishëm se blerja e produkteve në këtë ditë.

“Bashkë me mekanizmat zbatues të Ligjit Nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës: Policinë e Kosovës dhe Inspektoratet, ishim gjatë ditës së sotme një nga qendrat tregtare në Prishtinë, me qëllim të parandalimit të grumbullimit të njerëzve me rastin e “Black Friday”. Shëndeti individual dhe kolektiv i popullatës sonë është shumë më i rëndësishëm se çdo produkt që mund të blihet në këto ngjarje”, ka njoftuar Zemaj.

Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shmangin grumbullimet dhe kërkoi nga organet e rendit që të marrin masa kudo që shohin organizime të tilla.

“Edhe një herë ju bëjë thirrje qytetarëve që në këtë kohë pandemie, të shmangin grumbullimet e panevojshme, sepse një gjë e tillë është në dëm të shëndetit të të gjithëve. Kërkoj nga organet e rendit dhe inspektoratet që të jenë në krye të detyrës dhe kudo që hasin në organizime të tilla, të marrin masa në bazë të ligjit dhe vendimeve në fuqi”, shtoi tutje Zemaj.

Më herët është raportuar për grumbullim të njerëzve tek qendra tregtare ‘Albi Mall’ në Veternik përkundër vendimit të Ministrisë së Shëndetsisë që të mos organizohet ky event.

Përkundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë organizimi i ‘Black Friday’ nuk është ndalur