Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, Foto: Ministria e Shëndetësisë

Zemaj bisedon me homologët e rajonit për menaxhimin e COVID-19

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologët e tij në Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, ministrat Ogerta Manastirliu, Kenan Hrapoviq e Venko Filipçe, me të cilët diskutuan rreth bashkëpunimit për përballjen e pandemisë COVID-19 në shtetet respektive.

Ministria njofton se gjatë kësaj bisede është diskutuar edhe për hapa të tjerë të bashkëpunimit të ardhshëm midis Kosovës dhe këtyre shteteve në fushën e shëndetësisë.

“Ministri Zemaj i ka njoftuar homologët Manastirliu, Hrapoviq e Filipçe për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e kufirit në mes të Republikës së Kosovës me këto shtete”, theksohet në njoftim.

Më tej thuhet se ministrat u dakorduan që në ditët në vijim të takohen për të diskutuar në mënyrë edhe më të detajuar bashkëpunimin midis shteteve në shëndetësi.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që nga nesër do të lejohet qarkullimi i plotë brenda në Kosovë dhe po ashtu edhe me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e hëna qytetarët që hynë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.