Zemaj: BE duhet të pozicionohet qartë për procesin e Vettingut në Kosovë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të ketë një pozicion të qartë në lidhje me procesin e Vettingut në Kosovë.

Zemaj përmendi se në raportin e progresit për Kosovën, BE ka vlerësuar me notë jo të mirë procesin e Vettingut në drejtësi.

Zemaj këto deklarata i bëri gjatë sesionit të dytë punues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim bashkë me Bashkimin Evropian.

“Mendoj që duhet të ngrisim një çështje meqenëse ju kemi edhe juve, përfaqësues të BE-së në lidhje me nisjen e reformave në drejtësi. Është e domosdoshme ndihma e BE-së dhe e vendeve të tjera në këtë proces për Kosovën. Kemi një situatë që duhet të kemi në vëmendje polarizimet për procesin e Vettingut. Pozicioni i BE-së duhet të jetë i qartë pasi që sipas raportit të progresit ajo është vlerësuar me notë jo të mirë”, tha ai.

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, e konsideroi jo të drejtë konstatimin e raportit të progresit për procesin e Vettingut.

Kjo pasi sipas saj, punimet për procesin e Vettingut kanë filluar pas periudhës së përgatitjes së raportit nga BE-ja.

“Konsideroj se ka qenë jo e drejtë që procesi i Vettinugt të quhet shqetësim serioz në raportin e progresit. Ne e dimë që ka pasur mjaft zhvillime edhe pas përgatitjes së raportit dhe konsideroj se ndoshta vet BE dhe raporti duhej të tregohej më i rezervuar sepse ky proces është vetëm në fazën fillestare”, tha ajo.