Zelenskyy pritet t’i kërkojë më shumë armë Amerikës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austi, do të vizitojnë kryeqytetin Kiev, gjatë ditës së sotme.

Sipas BBC, Zelenskyy ka mundësi që të bëjë një apel për më shumë armë të rënda gjatë takimit, të cilat ai më parë tha se janë absolutisht jetike për përpjekjet luftarake të Ukrainës.

“Ne do të flasim për armët që na duhen dhe për kornizën kohore për dërgesat”, tha Zelenskyy të shtunën.

BBC raporton se Shtëpia e Bardhë, megjithatë, ende nuk ka komentuar.

Ndër zyrtarët që kanë udhëtuar tashmë në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë janë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila u ndal në Bucha; kryediplomati i BE-së Josep Borell; liderët e Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë dhe së fundmi, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson./BBC