Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, Foto: REL
Zelenskyy: Zgjedhjet në Ukrainë mund të mbahen këtë vit, nëse hiqet gjendja e luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të mbahen këtë vit, nëse bisedimet i japin fund “fazës së nxehtë” të luftës me Rusinë – duke e mundësuar heqjen e gjendjes së luftës.
Duke folur në një intervistë të transmetuar në televizionin ukrainas, më 2 janar, Zelenskyy tha se mbajtja e Zgjedhjeve të shtyra për kohë të gjatë do të varet nga pozita në të cilën do ta gjejë veten Ukraina, pas ndonjë marrëveshjeje për përfundimin e luftës për zmbrapsjen e trupave pushtuese ruse.
“Sa i përket vitit 2025, nëse ia dalim t’i japim fund fazës së nxehtë të luftës për Ukrainën; nëse e arrijmë këtë së bashku me një ushtri të fuqishme, me një paketë të madhe armatimi dhe me garanci të forta për sigurinë, atëherë ato [Zgjedhjet] do të ndodhin.” – tha Zelenskyy.
“Pas kësaj, në parim, ne mund ta mendojmë shfuqizimin e gjendjes së luftës në Ukrainë. Sapo kjo të ndodhë, topi do të jetë në fushën e Parlamentit, i cili mund ta caktojë pastaj një datë për Zgjedhje. Mendoj se nuk ka nevojë të presim me vite [për Zgjedhje], kur të hiqet gjendja e luftës.” – shtoi ai.
Mandati pesëvjeçar i Zelenskyyt përfundoi më 20 maj 2024.
Zelenskyy, 46-vjeçar, nuk tregoi nëse do të kërkojë ndonjë mandat tjetër si lider i vendit.
“Nëse bëj më shumë se çfarë mundem, atëherë mbase do ta marrë ketë vendim më me pozitivitet. Sot, ky nuk është synimi im.” – theksoi ai.
Zgjedhjet presidenciale duhej të mbaheshin në mars apo prill 2024, por ato u shtynë për shkak se vendi është ende në gjendje lufte.
Sipas Kushtetutës së Ukrainës, Zelenskyy duhet patjetër të vazhdojë t’i kryejë detyrat e Presidentit, derisa të zgjidhet lideri i ri i shtetit.
Zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin më 29 tetor 2023, por edhe ato u shtynë për shkak të zbatimit të gjendjes së luftës.
Ukraina është në gjendje lufte prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022. Zbatimi i saj është zgjatur për një periudhë prej 90 ditësh, plot 13 herë nga Parlamenti.
Ligjvënësit duhet ta ndryshojnë Ligjin për ta mundësuar mbajtjen e Zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës.
Shumë analistë dhe politikanë kanë ngritur shqetësime mbi sigurinë, zhvendosjen e votuesve dhe infrastrukturën si pengesa kryesore për mbajtjen e Zgjedhjeve legjitime në Ukrainë në rrethanat e tanishme.
Derisa Rusia e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyyt për shkak të shtyrjes së Zgjedhjeve, Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim për statusin e tij si lider i Ukrainës, ndërsa Kombet e Bashkuara e kanë mbështetur duke thënë se Zelenskyy “mbetet… personi me të cilin Sekretari i Përgjithshëm komunikon kur ka nevojë të kontaktojë udhëheqësin ukrainas”./REL