Takimi mes presidentëve - Donald Trump, Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky, Foto: Volodymyr Zelensky/X

Zelensky: Trump t’ia mbajë anën Ukrainës, Putini nuk i frikësohet Europës

Ukrainës i duhen garanci më të mëdha sigurie dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk i frikësohet Europës – ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për Fox News, në një intervistë ku i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump të mbajë anën e Ukrainës – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

Trump, i cili mori detyrën më 20.01.2025, ka premtuar se shpejt do t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë, por pa treguar sesi. Këshilltarët e tij kanë sugjeruar se arritja e Marrëveshjes mund të marrë muaj të tërë. Trump ka shprehur gatishmërinë për të folur me Putinin për përfundimin e luftës – një kontrast me Administratën e ish-presidentit demokrat Joe Biden, i cili e shmangu liderin rus.

Fitorja zgjedhore e Trumpit në nëntor ngjalli shpresën për zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Moska, që filloi në shkurt 2022, por gjithashtu shtoi frikën në Kiev se Marrëveshja e menjëhershme e paqes mund të ketë një çmim të lartë për Ukrainën.

“Ne duam që ai (Trump) të jetë në anën e drejtësisë, në anën e Ukrainës.” – ka deklaruar Zelensky në intervistën e transmetuar të martën mbrëma, më 28.01.2025, sipas kohës lokale amerikane. “Putini nuk ka frikë nga Europa”.

Zelensky ka shtuar se Ukraina nuk mund ta pranojë pushtimin rus, por preferoi zgjidhje diplomatike.

Shtëpia e Bardhë nuk doli me asnjë koment të menjëhershëm.

Pas fillimit të pushtimit rus Shtetet e Bashkuara nën Bidenin i dhanë mbi 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën – duke përfshirë mbi 60 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë. Nuk është e sigurt nëse ndihma do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe nën Trumpin.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com