Volodymyr Zelenskyy Foto: President Official Websitee

Zelensky: Rusia sulmoi maternitetin në Mariupol, ka fëmijë nën rrënoja

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se ushtria ruse ka sulmuar maternitetin në Mariupol të Ukrainës.

Ai ka ndarë pamje të spitalit dhe ka potencuar se nën gërmadha ka edhe fëmijë.

“Goditja e drejtpërdrejtë e trupave ruse në maternitetin e Mariupolit. Njerëz, fëmijët janë nën rrënoja. Mizori! Edhe sa kohë do të jetë bota një bashkëpunëtor që injoron terrorin?”, ka shkruar Zelensky.

Zelensky bëri thirrje që të mbyllet hapësira ajrore për të ndalur vrasjen e njerëzve.

“Mbylleni qiellin tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por si duket keni humbur humanitetin”, shton tutje Zelensky.

 

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.