Foto: Volodymyr Zelensky / Facebook

Zelensky qorton aleatët për reagimin “zero” për trupat verikoreane

Presidenti Volodymyr Zelensky ka qortuar atë qe e ka quajtur “reagimin zero” të aleatëve ndaj dërgimit të trupave të Koresë Veriore në Rusi për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë, duke theksuar se kjo do ta inkurajojë Vladimir Putinin e Rusisë për ta rritur kontingjentin e huaj luftarak, raporton Reuters.

Lideri ukrainas, në një intervistë për televizionin e Koresë Jugore, KBS, ka thënë se beson se Moska tashmë ka shprehur gatishmëri për ujdi që trupat e Koresë Veriore të dërgojë personel të specializuar ushtarak dhe “një numër të madh civilësh” për të punuar në fabrikat ushtarake të Rusisë.

“Putini po pret reagimin e Perëndimit… Dhe unë besoj se pas gjithë këtyre reagimeve, Putini do të vendosë dhe do të rrisë kontingjentin… Reagimi që kemi parë deri sot është asgjë, është zero”, ka deklaruar lideri ukrainas.

Ai që më 13 tetor ka nisur të flasë publikisht për përfshirjen e trupave të Koresë Veriore në luftën e Rusisë në Ukrainë. Vendet perëndimore e kanë përshkruar zhvillimin si përshkallëzim, por nuk kanë deklaruar ndonjë masë hakmarrëse ose nuk kanë thënë se janë duke u përgatitur për masa konkrete.

Koreja Jugore ka ofruar ndihmë inteligjence dhe bashkëpunim të gjerë për këtë çështje, dhe se po shqyrton mundësinë e një ekipi monitoruesish ushtarak në Ukrainë, kanë thënë zyrtarët e Koresë demokratike.

Delegacioni ukrainas në Këshillin e Sigurimit kanë treguar emrat e tre gjeneralëve të Koresë Veriore që thuhet se po shoqërojnë trupat e shtetit aziatik që janë dërguar në Rusi. Rusia nuk e ka mohuar gjithashtu lajmin për përfshirjen e trupave të Koresë Veriore në luftë. Koreja Veriore i ka mohuar së pari raportet, por më vonë ka thënë se dërgimi i trupave është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com