Zelensky pas raportimeve për rënien e raketave ruse në Poloni: Ndodhi ajo që e paralajmëruam prej kohësh

Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane tha sot se raketat ruse, që sulmuan Ukrainën, ranë edhe në Poloni dhe vranë dy persona, raporton AP.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se një veprim të tillë të Rusisë e kishin paralajmëruar prej kohësh.

Zelensky tha se është çështje kohe para se terrori rus të përhapet edhe në shtetet e tjera.

“Sot ndodhi edhe ajo për të cilën paralajmëronim prej kohësh. Terrori nuk kufizohet në kufijtë tanë shtetërorë. Raketat ruse goditën edhe territorin e vendit mik – Polonisë. Sa herë Ukraina foli për atë shtet terrorist se nuk do të kufizohet vetëm në vendin tonë?  Polonia, shtetet baltike… Është çështje kohe para se terrori rus të vazhdojë… Sa më gjatë që Rusia të ndihet e pandëshkueshme, aq më shumë kërcënime do të ketë për të gjithë ata që mund t’i arrijnë raketat ruse”- shkroi Zelensky në Facebook.

Sipas presidentit ukrainas, Rusia ka vazhduar sulmet me raketa. Gjatë ditës së sotme, sipas tij, në territorin ukrainas kanë rënë së paku 90 raketa ruse.