Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky Foto: Presidenca e Ukrainës

Zelensky njofton se Ukraina po aplikon zyrtarisht për anëtarësim në NATO

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky ka njoftuar se Ukraina zyrtarisht po aplikon për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Këtë informatë Zelensky e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Telegram.

“De fakto, ne tashmë kemi bërë rrugën tonë për në NATO. De fakto, ne kemi provuar tashmë përputhshmërinë me standardet e Aleancës. Ato janë reale për Ukrainën – reale në fushën e betejës dhe në të gjitha aspektet e ndërveprimit tonë” – ka shkruar Zelensky.

“De fakto. Sot, Ukraina po aplikon për ta bërë atë de jure. Në një proces që është në përputhje me vlerën tonë në mbrojtjen e të gjithë komunitetit tonë. Në mënyrë të përshpejtuar” – është shprehur presidenti ukrainas duke shtuar se sot bëhet një hap vendimtar për Ukrainën.

“Ne po bëjmë hapin tonë vendimtar duke nënshkruar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO” – ka përmbyllur ai.

Ukraina, e fitoi pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe prej kohësh ka aspiruar  të anëtarësohet në Aleancë, por nuk ka marrë një ftesë.

Kurse, në shkurt të këtij viti, presidenti rus, Vladimir Putin, i kishte bërë thirrje NATO-s që të mos zgjerohet në Ukrainë apo në ndonjë ish-republikë tjetër sovjetike, duke shprehur shqetësimin për aleancën ushtarake dhe politike të krijuar si kundërpeshë ndaj ish-Bashkimit Sovjetik.