Ilustrim

Zelensky nënshkruan dekret për tërheqjen e ushtarëve ukrainas nga Kosova

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e paqeruajtësve ukrainas nga e gjithë bota, së bashku me armët dhe pajisjet e tyre.

Kështu ka bërë të ditur zëvendës shefi i zyrës së presidentit, Andriy Sybiha.

“Presidenti i Ukrainës V. Zelensky ka vendosur të tërheqë paqeruajtësit ukrainas, ushtarë shumë profesionistë, nga të gjitha misionet në mbarë botën, së bashku me pajisjet e tyre, për të forcuar ushtrinë tonë tani në përgjigje të agresionit rus”, ka shkruar Sybiha.

Në Kosovë janë 40 ushtarë të Ukrainës të cilët shërbejnë si pjesë e KFOR-it.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, sot ka hyrë në ditën e 13-të të saj.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se më shumë se 1200 viktima civile janë regjistruar në Ukrainë, me të paktën 406 njerëz të vrarë – edhe pse ata thonë se është e vështirë të identifikohet numri aktual i vdekjeve dhe të plagosurve.

Më shumë se 1.7 milion njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, me paralajmërimin e OKB-së se ky numër mund të arrijë në pesë milionë.