Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, Foto: REL
Zelensky ia uron Trumpit “fitoren mbresëlënëse”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ia ka uruar Donald Trumpit “fitoren mbresëlënëse” pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren.
Në një postim në platformën X, lideri ukrainas ka kujtuar takimin e fundit që e ka pasur me Trumpin në shtator, kur ia kishte shpalosur Planin e Fitores së Ukrainës në luftë kundër Rusisë. Trumpi ka qenë kritik ndaj ndaj mbështetjes amerikane për Ukrainën.
“E çmoj zotimin e presidentit Trump për ‘paqen nëpërmjet qasjes së fuqishme’ në çështjet botërore. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të çojë Ukrainën më afër paqes”, ka shkruar Zelensky, duke shprehur shpresë se bashkë do të mund të marrin veprime të përbashkëta.
Zelensky ka shkruar gjithashtu se pret një epokë të fuqishme Shteteve të Bashkuara të nën lidershipin vendimtar të Trumpit. “Ne jemi të interesuar të zhvillojmë bashkëpunim të përbashkët dhe të dobishëm ekonomik dhe politik që do të jetë në dobi të dy vendeve. Ukraina, si një prej fuqive më të forta ushtarake të Europës, është e përkushtuar për sigurimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Europë dhe komunitetin transatlantik me mbështetjen e aleatëve”, ka thënë Zelensky, duke paralajmëruar se do ta përgëzojë edhe personalisht Trumpin, si dhe do të bashkëpunojë për fuqizimin e partneritetit ushtarak me SHBA-në.
Trumpi ka kundërshtuar vazhdimisht ndihmën e madhe amerikane për Ukrainën. Ai madje ka paralajmëruar se do t’i japë shumë shpejt fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Trumpi, i cili ka shprehur admirim për liderin rus, Vladimir Putin, është kritikuar nga demokratët dhe analistët se qasja e tij mund të jetë e dëmshme për Ukrainën.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
Presidencialet në ShBA- rezultatet paraprake