Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky Foto: Presidenca e Ukrainës

Zelensky i adresohet me fjalim Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta miratojë një formulë prej pesë pikash për ta arritur paqen dhe sigurinë në Ukrainë, në një fjalim televiziv të gjerë dhe përplot me pasion në asamblenë e përgjithshme të OKB-së të mërkurën. Pikat përfshijnë dënimin për krimet e agresionit, mbrojtjen e jetës, rivendosjen e sigurisë dhe integritetit territorial, garancitë e sigurisë dhe vendosmërinë e Ukrainës për të vazhduar të mbrohet.

Më shumë se 1300 protestues janë arrestuar në mitingjet kundër mobilizimit që po zhvillohen në të gjithë Rusinë. Sipas OVD-Info, më shumë se 1,311 persona janë arrestuar në 38 qytete në të gjithë Rusinë, me shumicën e të arrestuarve në Moskë dhe Shën Petersburg.

Koreja e Veriut ka thënë se asnjëherë nuk e ka furnizuar Rusinë me armë apo municion dhe nuk planifikon ta bëjë këtë në të ardhmen, sipas një deklarate të lëshuar nga shërbimi shtetëror i medias, KCNA.

Rusia ka liruar 215 ukrainas që i ka marrë robër pas një beteje të stërzgjatur për qytetin port të Mariupolit në fillim të këtij viti, duke përfshirë udhëheqës të lartë ushtarakë, tha një zyrtar i lartë në Kiev. Ukrainasit e liruar përfshinin komandantin dhe zëvendëskomandantin e batalionit Azov që bëri pjesën më të madhe të luftimeve, tha Andriy Yermak, shefi i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelenskiy.

Ivan Fedorov, kryebashkiaku i Melitipolit të pushtuar nga Rusia në Ukrainë, u ka kërkuar njerëzve vendas që ta evakuojnë qytetin mes urdhrave të mobilizimit nga Rusia, raporton Kyiv Independent.

Finlanda po punon për një strategji federale për ta “kufizuar ose parandaluar plotësisht” turizmin nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës. “Kjo zgjidhje kombëtare mund të përfshijë legjislacion të ri, i cili do të miratohet shumë shpejt”, ka deklaruar ministri i jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, në një konferencë për mdia të mërkurën.

Ministria e Jashtme saudite ka deklaruar se Rusia i ka liruar 10 të burgosur të huaj të luftës të zënë rob në Ukrainë pas ndërmjetësimit të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman. Shtetasit amerikanë Alexander Drueke dhe Andy Tai Ngoc Huynh ishin mes të liruarve.

Joe Biden i ka denoncuar kërcënimet e Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore si “të pamatura” dhe “të papërgjegjshme” dhe e ka quajtur aneksimin e planifikuar të Rusisë të më shumë rajoneve të Ukrainës si “një shkelje jashtëzakonisht të rëndësishme” të kartës së OKB-së. Presidenti i SHBA po fliste në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, ku ai kërkoi të provokonte zemërimin e vendeve anëtare të OKB-së ndaj kërcënimit që veprimet dhe “ambiciet perandorake” të Putinit paraqisnin për vlerat themeluese të OKB-së.

Më herët të mërkurën, Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm në Rusi në një përshkallëzim të rëndësishëm që i vendos njerëzit dhe ekonominë e vendit në një situatë lufte duke shkaktuar paknaqësi të mëdha në të gjithë Rusinë. Presidenti rus ka deklaruar përmes një fjalimi televiziv se “mobilizimi i pjesshëm” ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rreziqeve të paraqitura nga perëndimi. Sipas dekretit, kontratat e ushtarëve që luftojnë në Ukrainë do të zgjaten gjithashtu deri në fund të periudhës së mobilizimit të pjesshëm.

Kryeministrja britanike Liz Truss dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thanë se fjalimi i Putinit të mërkurën ishte “një deklaratë dobësie”. Përmes një deklaratë të përbashkët pas një takimi mes tyre në Nju Jork, ato thanë se thirrjet e Putinit për mobilizim të pjesshëm ishin “një shenjë se pushtimi i Rusisë po dështon”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala