Zelensky e akuzon Rusinë për krime lufte

Ukraina i ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e krimeve të luftës dhe një “masakër” në Bucha, një qytet 30 km në veriperëndim të kryeqytetit, Kiev, pasi trupat e civilëve të paarmatosur ukrainas dhe varre masive u gjetën të dielën atje. Trupat e civilëve – shumë prej tyre me duar të lidhura, plagë me armë zjarri nga afër dhe shenja torture – u gjetën në rrugë pasi trupat ukrainase e rimorën qytetin.

Prokurorët ukrainas thanë se gjetën 410 trupa në qytete afër Kievit dhe 140 trupa ishin ekzaminuar të dielën. Rusia i mohoi akuzat se forcat e saj kishin vrarë civilë teksa po tërhiqej nga zonat e shkatërruara nga lufta në Ukrainë.

Pamjet satelitore nga Bucha duket se tregojnë një llogor afërsisht 45 metra të gjatë të gërmuar në territorin e një kishe ku është identifikuar një varr masiv.

Udhëheqësit botërorë i dënuan vrasjet dhe bënë thirrje për hetime të pavarura. Presidenti francez Emmanuel Macron, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri britanik Boris Johnson dhe ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, të gjithë i dënuan publikisht veprimet e Rusisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i dënoi po ashtu këto vrasje vrasjet dhe u bashkua me aleatët perëndimorë duke u zotuar t’i dokumentojnë mizoritë për të kërkuar përgjegjësi nga autorë e krimit.

Rusia e përshkroi situatën në Bucha si një “provokim” nga Ukraina që synonte t’i prishte bisedimet për paqe. Ministria e Jashtme e Kremlinit tha se Rusia po kërkon një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje. Ministria e saj e mbrojtjes i përshkroi fotot dhe videot si “një shfaqje tjetër e inskenuar nga regjimi i Kievit”. Dmitry Polyanskiy, zëvendës përfaqësuesi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së të Rusisë, shkroi të dielën: “Në dritën e provokimit të neveritshëm të radikalëve ukrainas në Bucha, Rusia kërkoi një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, më 4 prill”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i dënoi forcat ruse si “vrasëse”, “torturuese” dhe “përdhunuese” pasi dolën në dritë vrasjet, duke e përshkruar sulmin e urdhëruar nga Kremlini ndaj vendit të tij si gjenocid. “Si u bë që edhe ata të bëhen kasapë? … Ata i vranë qëllimisht dhe me kënaqësi”, tha ai në një fjalim kombëtar të dielën vonë. Ai u zotua t’i hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha “krimet” ruse në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dymtro Kuleba, tha se Bucha ishte një “masakër e qëllimshme” ndërkohë që po fliste për Times Radio të dielën. Duke e përshkruar Rusinë si “më të keqe se ISIS”, ai tha se forcat ruse ishin fajtore për vrasje, tortura, përdhunime dhe plaçkitje. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve të G7 që të vendosin sanksione “shkatërruese” menjëherë.

Zelenskiy e kritikoi “politikën e koncesioneve të perëndimit ndaj Rusisë” në fillim të luftës. Duke i përshkruar përpjekjet e kaluara të Ukrainës për anëtarësimin në NATO: “Ata menduan se duke refuzuar Ukrainën, do të ishin në gjendje ta qetësonin Rusinë, ta bindnin atë të respektonte Ukrainën dhe të jetonte normalisht pranë nesh… Unë e ftoj Merkelin dhe Sarkozin ta vizitojnë Buchan dhe të shohin se cila është politika e koncesioneve ndaj Rusisë që ka rezultuar në 14 vjet. T’i shohin me sytë e tyre burrat dhe gratë e torturuara ukrainase”.

Forcat ruse i vazhduan sulmet e tyre në qytete të tjera të Ukrainës. Shtatë persona vdiqën dhe 34 u plagosën pasi një zonë banimi në Kharkiv u godit të dielën, thanë prokurorët vendas.

Të paktën 70% e qytetit Chernihiv është shkatërruar nga forcat ruse, tha të dielën kryebashkiaku i qytetit, Vladyslav Atroshenko, duke shtuar se “pasojat” e sulmeve ishin të rënda dhe pasqyronin ato të qyteteve të tjera të dëmtuara rëndë në Ukrainë si Bucha dhe Mariupol.

Forcat ruse po vazhdojnë ta “konsolidojnë dhe riorganizojnë” ofensivën e tyre në Donbas, ndërsa kapja e Mariupolit është një “objektiv kyç” i pushtimit rus, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Ushtria ukrainase pretendon se Rusia ka nisur një “mobilizim të fshehur” prej rreth 60,000 ushtarësh për t’i rimbushur njësitë e humbura në Ukrainë, sipas raportit të saj të fundit operacional.

Raketat ruse goditën “infrastrukturën kritike”, me shumë gjasa një depo karburanti, pranë portit jugor të Ukrainës të Odesa në orët e para të së dielës, por nuk pati viktima, thanë zyrtarët në qytet.

Bashkimi Evropian duhet ta shqyrtojë një ndalim të importit të gazit nga Rusia, ka thënë ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht.

Shkalla e madhe e dhunës seksuale të duruar nga gratë dhe vajzat në Ukrainë ka filluar të shfaqet teksa viktimat po tregojnë lidhur abuzimin që kanë pësuar nga ushtarët rusë.

Fituesi i zgjedhjeve të së dielës në Hungari, Viktor Orban, e ka quajtur Zelenskyn një “kundërshtar”: Në fjalimin e tij të fitores Orban shtoi se rizgjedhja e tij dërgon një mesazh jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për Zelenskyn, të cilin ai e quajti së bashku me një mori ankesash të tjera të perceptuara si “kundërshtarë”. Orban njihet si aleat i presidentit rus Vladimir Putin.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë se ka pasur 3,455 viktima civile që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Kjo shifër përfshin më shumë se 1,400 vdekje dhe mbi 2,000 njerëz të plagosur, por numri aktual besohet të jetë dukshëm më i lartë, tha agjencia në fjalë bazuar në një raport të publikuar së fundmi.

Zelenskiy u shfaq përmes një video-mesazhi në ndarjen e çmimeve Grammy, duke u bërë thirrje shikuesve që “ta plotësoni heshtjen me muzikën tuaj” dhe “ta tregoni të vërtetën për luftën” nëpër rrjetet sociale dhe në TV./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala