Presidenti ukrainas, Zelensky - Pamjet: VOA

Zelensky do t’i adresohet G7-ës teksa sulmohen qytetet ukrainase

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pritet të bëjë thirrje për më shumë armë të rënda, kur t’i adresohet grupit të shtatë shteteve më të industrializuara të hënën.

Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

Adresimi i tij vjen pas një morie sulmesh ruse me raketa në Kiev, dhe zona tjera përgjatë fundjavës, nga të cilat ka mbetur i vdekur të paktën një person.

Në lindje të Ukrainës, Rusia ka fituar kontroll të plotë të Severodonjeckut, dhe është duke shënjestruar Lisiçanskun.

Të dielën, Zelensky ka thënë se vonesat në dërgim të armëve janë “ftesë për Rusinë që të sulmojë sërish”.

Në adresimin e tij ditor, ai ka bërë thirrje për sisteme ajrore për mbrojtje dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.

“Partnerët duhet të veprojnë më shpejt, nëse janë vërtet partnerë, jo vëzhgues”, ka thënë ai.

Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së G7-ës dhe vendet pjesëmarrëse pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake për Kievin, si dhe më shumë sanksione për Moskën.

Liderët perëndimorë janë duke tentuar të shpërfaqin një front të bashkuar, pasi kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se sulmet ruse me raketa tregojnë se “ka qenë vendim i drejtë që të bashkohemi dhe të mbështesim ukrainasit”.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka menduar se NATO dhe G7 do të ndaheshin, “mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë”.

Pas Samitit të G7-ës, që këtë herë mbahet në Bavari, liderët e NATO-s do të takohen më pas në Spanjë.

Edhe aty Zelensky pritet të mbajë një fjalim./REL