Zelensky: Deri në 100 ukrainas po vdesin çdo ditë në frontin lindor të luftës

Sot është dita e 89-të e invazionit rus në Ukrainë. 

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat e saja nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak”.

Në ndërkohë, zhillimet më të fundit në dhe rreth Ukrainës janë si në vijim: 

Autoritetet e Ukrainës jane shprehur se nuk do të pajtohen me asnjë marrëveshje armëpushimi që do ta përfshinte dorëzimin e territorit ukrainas në Rusi, pasi Moska ka intensifikuar sulmin e saj në rajonin lindor të Donbasit. “Lufta duhet të përfundojë me rivendosjen e plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”, ka deklaruar shefi i kabinetit presidencial të Ukrainës, Andriy Yermak.

Këto komente jane bërë pasi Rusia tha se është e gatshme t’i rifillonte negociatat e paqes – mirëpo kryenegociatori i saj tha gjithashtu të dielën se nisma për t’i vazhduar bisedimet duhej të vinte nga Kievi zyrtar. Ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, pohoi në një intervistë për televizionin Bjellorus se “Rusia nuk i ka refuzuar kurrë bisedimet”.

Presidenti polak Andrzej Duda u bë lideri i parë i huaj që iu drejtua personalisht parlamentit ukrainas që nga fillimi i pushtimit, duke e mbështetur qëndrimin e Ukrainës për koncesionet territoriale dhe duke e paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar se dhënia e çdo territori Rusisë do të ishte një “goditje e madhe” për të gjithë perëndimin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se 50 deri në 100 ukrainas po vdesin çdo ditë në frontin lindor të luftës në atë që dukej të jetë një referencë për viktimat ushtarake. Luftimet më të ashpra janë përqendruar rreth qyteteve binjake Sievierodonetsk dhe Lysychansk në Luhansk, një nga dy rajonet që e përbëjnë Donbasin. Serhiy Gaidai, guvernatori i Luhansk, tha në një intervistë televizive lokale se Rusia po i përdor taktikat e “tokës së djegur” në rajon që ndryshe mund të definohet edhe si një strategji ushtarake që synon ta shkatërrojë çdo gjë që mund të jetë e dobishme për armikun.

Numri i të vdekurve rusë nga lufta kundër Ukrainës është i ngjashëm me humbjet e pësuara në luftën e Rusisë në Afganistan, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Në tre muajt e parë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ka të ngjarë të ketë pësuar një numër të ngjashëm vdekjesh me atë të përjetuar nga Bashkimi Sovjetik gjatë luftës së tij nëntëvjeçare në Afganistan, pretendoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Një kombinim i “taktikave të dobëta të nivelit të ulët, mbulimi i kufizuar ajror, mungesa e fleksibilitetit” dhe një qasje komanduese “të përgatitur për ta përforcuar dështimin dhe përsëritur gabimet” ka çuar në shkallën e lartë të viktimave, shtoi inteligjenca britanike.

Rusia po i “përqendron përpjekjet e saj” në sulmet në qytetin lindor të Ukrainës, Siverodonetsk dhe qytetin e afërt të Toshkivka, ka thënë ushtria ukrainase në raportin e saj të fundit operacional.

Një vendim në procesin e parë gjyqësor të konfliktit për krimet e luftës pritet sot të mirret me një panel gjyqtarësh në Kiev që do ta përcaktojë fatin e rreshterit 21-vjeçar rus Vadim Shishimarin.

Ukraina do të jetë në krye të agjendës në Forumin Ekonomik Botëror katër-ditor në Davos, i cili fillon të hënën me një video-fjalim nga Zelenskiy. Këtë vit, artistët ukrainas e transformuan “shtëpinë” e Rusisë në këtë ngjarje në një “shtëpi ruse të krimeve të luftës”, duke portretizuar imazhe të mjerimit dhe shkatërrimit.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka biseduar me presidentin ukrainas Zelenskiy të dielën në mbrëmje rreth bllokadës së Rusisë ndaj Odesës, portit më të madh të transportit në Ukrainë. Bllokada e porteve të Ukrainës ka qenë një shqetësim në rritje për liderët botërorë pasi shumë vazhdojnë të paralajmërojnë për sigurinë globale të ushqimit, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Një ofertë e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk do të finalizohet për “15 ose 20 vjet”, ka deklaruar ministri francez për Evropën. “Duhet të jemi të sinqertë. Nëse thoni se Ukraina do t’i bashkohet BE-së pas gjashtë muajsh, ose një ose dy vitesh, gënjeni, “tha Clément Beaune. “Ndoshta kjo mund të bëhët në 15 ose 20 vjet. Duhet shumë kohë.”

Zelenskiy  e ka zgjatur ligjin ushtarak të Ukrainës për tre muaj deri më 23 gusht. Parlamenti i Ukrainës i ndaloi gjithashtu simbolet “Z” dhe “V”, të përdorura nga ushtria ruse për ta promovuar luftën e saj në Ukrainë, por ra dakord me thirrjen e Zelenskiy për ta lejuar përdorimin e tyre për qëllime edukative ose historike.

YouTube ka larguar më shumë se 70,000 video dhe 9,000 kanale në lidhje me luftën në Ukrainë për shkelje të udhëzimeve të përmbajtjes, duke përfshirë largimin e videove që i referoheshin pushtimit si një “mision çlirimi”.

Zelanda e Re do të vendosë 30 trupa të tjera të forcave mbrojtëse në Mbretërinë e Bashkuar, për të ndihmuar në trajnimin e 230 ushtarëve ukrainas në përdorimin e një arme obusi. Qeveria e këtij vendi do të sigurojë gjithashtu 40 objekte për armë dhe një sasi të vogël municionesh për qëllime trajnimi./The Guardian