Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky Foto: Presidenca e Ukrainës

Zelenskiy shkon për vizitë në Londër, kërkon më shumë armë

Presidenti Volodymyr Zelenskiy do të udhëtojë në Londër të mërkurën për një vizitë në këtë vend. Ky është vetëm udhëtimi i tij idytë jashtë vendit që kur Rusia e pushtoi Ukrainën vitin e kaluar, duke kërkuar armë shtesë për t’u përballur një sulm të madh të pritshëm nga ana e forcave ruse.

Zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak ka deklaruar se Zelenskiy do t’i vizitojë trupat që stërviten në Britani dhe do t’i drejtohet parlamentit britanik me një fjalim.

Zyra e kryeministrit Sunak i bëri të ditura planet për ta zgjeruar trajnimin për ushtrinë e Ukrainës për të përfshirë pilotët e avionëve luftarakë dhe marinsat – dhe për ta përshpejtuar furnizimin me pajisje ushtarake.

“Vizita e Presidentit Zelenskiy në Mbretërinë e Bashkuar është një dëshmi e guximit, vendosmërisë dhe luftës së vendit të tij dhe një dëshmi e miqësisë së pathyeshme midis dy vendeve tona”, ka thënë Sunak në një deklaratë.

Zelenskiy i vizitoi Shtetet e Bashkuara në muajin dhjetor dhe iu drejtua Kongresit të SHBA me një fjalim në udhëtimin e tij të vetëm jashtë vendit që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit të kaluar.

Vendet perëndimore i kanë rritur në mënyrë dramatike premtimet e tyre për mbështetje ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i vitit të ri, duke i përfshirë premtimet për qindra tanke dhe automjete të blinduara. Kievi zyrtar ende dëshiron raketa dhe avionë luftarakë me rreze më të gjatë veprimi.

Pas fitimeve të mëdha të Ukrainës në gjysmën e dytë të 2022, Rusia ka rikuperuar vrullin, me dhjetëra mijëra trupa të sapomobilizuara që kanë arritur në front.

Forcat ruse kanë bërë përparim në rritje në betejat e pamëshirshme të dimrit në lindje të vendit në javët e fundit, të cilat të dyja palët i përshkruajnë si disa nga luftimet më të përgjakshme të luftës.

Rusia e ka nisur “operacionin e saj të posaçëm ushtarak” për të luftuar atë që ajo e përshkruan si një kërcënim sigurie nga lidhjet e Ukrainës me Perëndimin dhe thotë se furnizimet perëndimore me armë në Kiev vetëm do ta zgjasin luftën. Ajo pretendon se i ka aneksuar katër provinca të Ukrainës vitin e kaluar.

Ukraina zyrtare thotë se mënyra e vetme për të ndaluar luftën është që Perëndimi t’i japë asaj aftësinë për t’i dëbuar forcat ruse jashtë nga territori ukrainas./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala