Burimi i fotos - Diellëza Rama - FCB

Zëdhënësja e kabinetit të Xhafer Tahirit punësohet në Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare 

Diellëza Rama, zyrtare për marrëdhënie me publikun në kabinetin e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri është punësuar  si ‘Zyrtare për Çështje Juridike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare’.

Në këtë konkurs, Rama ka marrë gjithsej 89.83 pikë duke u shpallur “fituesja” e vendit të punës. 

Rezultatet përfundimtare ishin publikuar më 12 maj, ndërkaq afati i ankesave kishte qenë 15 ditë.

Për konkursin për ‘Zyrtar për Çështje Juridike në QKMF’, BIRN më datë 2 prill kishte dërguar kërkesë në Komunën e Vushtrrisë për të kërkuar leje për monitorimin e procesit për këtë pozitë por që nga Komuna e Vushtrrisë nuk kanë kthyer përgjigje zyrtare për këtë çështje, në e-mail adresën e zyrës ligjore të BIRN. 

 

Konkursi për pozitën, ‘Zyrtar për Çështje Juridike në QKMF’ kishte qenë i hapur nga data 22 mars deri më 5 prill 2021.  

Rama është pjesë e kabinetit të Xhafer Tahirit që nga viti 2018.  

Diellëza Rama ka mbajtur pozitën e zyrtares për marrëdhënie me publikun, si staf politik i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. 

E kontaktuar nga KALLXO.com, Rama ka mohuar të ketë pasur ndikim politik në punësimin e saj nga dikush.

Ajo ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga pozita e zyrtares për marrëdhënie me publikun në kabinetin e Xhafer Tahirit.

“Fillimisht unë nuk kam qenë në ndonjë pozitë të shërbyesit civil dhe as tani nuk jam shërbyes civil. Kontrata e mëparshme ka qenë kontratë me kohë të caktuar duke u bazuar në Ligjin e Punës. Konkursi ka qenë i rregullt dhe nuk ka pasur ankesa dhe që nga data 1 qershor 2021 unë kam filluar punën si zyrtare për marrëdhënie me Publikun. Ndërsa paraprakisht kam dhënë dorëheqje nga pozita e mëparshme”, ka thënë Diellëza Rama për KALLXO.com

KALLXO.com ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes telefonit dhe e-mailave por që i njëjti  nuk ka kthyer përgjigje.