Zëdhënësi i LVV-së: Kushtëzimi me takim nga ana e PDK-së është qëllim për shmangie të zgjedhjeve

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka reaguar lidhur me deklaratën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj se LVV nuk i ka ofruar takim për të diskutuar rrëzimin e Qeverisë.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com tha se zyrtarë të kësaj partie sillen sikur nuk ka një mocion tashmë të nisur për shkarkimin e kësaj Qeverie dhe se kur kjo u kujtohet fillojnë me arsyetime të ndryshme.

Kryeziu shtoi se rrëzimin e Qeverisë po e kushtëzojnë me një takim me Lëvizjen Vetëvendosje që e kanë klasifikuar të rrezikshme për Kosovën.

“Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës sillen thua se nuk ka një mocion të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkarkimin e kësaj Qeverie. E kur t’u rikujtohet se në fakt ka një mocion mosbesimi të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se PDK ende nuk i ka dhënë nënshkrimet e tyre, fillojnë me arsyetime të nduarnduarshme. Kësaj radhe rrëzimin e Qeverisë të cilën ndër të tjerash e kanë akuzuar edhe për tradhëti kombëtare, po e kushtëzojnë me një takim me Lëvizjen Vetëvendosje, Qeverinë e së cilës e kanë klasifikuar si Qeverinë më të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën”, ka thënë Kryeziu.

Sipas Kryeziut, këto kushtëzime nga ana e tyre kanë për qëllim shmangien e zgjedhjeve dhe se situata në të cilën jemi është dëshmi e një procesi negociator mes PDK-së dhe LDK-së.

“Një gjë është e qartë, kushtëzimet e arsyetimet e tyre kanë për qëllim shmangien e zgjedhjeve. Kjo situatë është dëshmia më e mirë se ka një proces negociator në mes PDK-së dhe LDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje që ia zgjat jetën kësaj Qeverie dhe shmang zgjedhjet e domosdoshme të cilave të dyjat ia kanë frikën. Kushdo që mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje qoftë sepse vendi ka nevojë për një rilegjitimim të institucioneve, qoftë sepse kjo qeveri është e paaftë, e dëmshme dhe jofunksionale, duhet ta trajtojë mocionin si qëllim jo si kompromis ose rezultat negocioator, pra ta mbështesë atë si domosdoshmëri jo si pazar politik,” ka shtuar tutje Kryeziu.