Zëdhënësi i Kurtit: Prioritet i qeverisë është menaxhimi i pandemisë, jo çështjet politike

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se prioritet i ekzekutivit kosovar është lufta kundër pandemisë e jo çështjet politike.

Duke iu përgjigjur letrës së fundit të presidentit të vendit, ku kërkoi emrin nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër të ri, ai tha se do të gjendet një kohë e përshtatshme për përgjigje ndaj letrës së Thaçit. Këtë, ai tha se do ta bëj Albin Kurti në cilësinë e kryetarit të LVV-së.

“Siç është sqaruar në dy shkresat e tij të datës 1 prill 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, në cilësinë e tij zyrtare, zhvilloi një takim ndërinstitucional me Presidentin e Republikës së Kosovës, për të biseduar lidhur me çështjen se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, në përputhje me kërkesat e qarta të nenit 82.2 të Kushtetutës, por duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Bashkë me Kryeministrin Kurti në takim ishin edhe dy këshilltarë të tij ligjorë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë të cilës i prinë Albin Kurti.

“Zyra e Kryeministrit njofton se ka pranuar dy shkresa nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh rëndësinë jetike të betejës kundër virusit COVID-19, prioriteti i parë i Kryeministrit dhe i gjithë Qeverisë është i përqendruar në menaxhimin e kësaj pandemie, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përballë kësaj sfide, çdo çështje politike apo partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore dhe tretësore”, ka deklaruar pwr KALLXO.com Kryeziu.

Sipas tij, lideri i partisë e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, do të gjejë një kohë për të iu përgjigjur presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

“Përkundër të gjithave, z.Kurti, në cilësinë e tij si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të gjejë një mundësi adekuate dhe jo të largët për të analizuar, me kujdesin e duhur, letrat e dërguara nga Presidenti, si dhe për t’iu kthyer përgjigje atyre”, vlerëson ai.

Përgjigje ndaj presidentit Thaçi pati edhe shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Albin Kurti flet rreth ftesës së Thaçit për mandatarin për kryeministër