Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Zëdhënësi i Gjykatës Speciale: Redaktimet në aktakuza mund të largohen kur arsyeja fillestare nuk qëndron më

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës  në Hagë, ka deklaruar se redaktimet në aktakuza mund të largohen kur arsyeja e vendosjes së tyre nuk qëndron më.

Kjo deklaratë vjen pas publikimit të aktakuzës me më pak redaktime në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohet se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Në një konferencë për media, të enjten, Doyle informoi publikun për zhvillimet e fundit në procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë Gjykatë.

“Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 27 shkurt, Prokurori i Specializuar dorëzoi version publik me më pak redaktime të aktakuzës së ndryshuar, që gjendet në faqen tonë të internetit. Sipas Ligjit dhe Rregullores së Dhomave të Specializuara, të akuzuarit kanë të drejtën për gjykim të drejtë dhe publik” – tha Doyle.

Sipas zëdhënësit, aktakuzat e konfirmuara janë publike, por mund të përmbajnë redaktime, kur është e nevojshme për mbrojtjen e dëshmitarëve.

“Në kuadër të parimit të gjykimit publik, parashtrimet e protokolluara konfidenciale, përfshirë aktakuzat e redaktuara, rishikohen rregullisht dhe redaktimet mund të hiqen, pas një analize të kujdesshme dhe rast pas rasti, kurdoherë që arsyeja fillestare që përligj redaktimin nuk qëndron më”-ka deklaruar Doyle.

Gjithashtu, zëdhënësi Doyle informoi se në rastin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, trupi gjykues nxori një vendim mbi zhvillimin e gjykimit.

“Prokuroria do të ketë 53 orë e gjysmë për të paraqitur provat e veta dhe synon të mbështetet në 19 dëshmitarë 14 e të cilëve pritet të dëshmojnë në sallën e gjyqit. Mbrojtësit e viktimave do t’u jepet 25% e kohës së përdorur nga Prokuroria për të pyetur dëshmitarin përkatës”-u shpreh Michael Doyle.

Ai tutje ka bërë të ditur se datat më të fundit të planifikuara për seancat publike, për të gjitha çështjet gjyqësore të Dhomave të Specializuara, gjenden në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit. Ndërkaq, trupi gjykues gjithashtu bëri disa ndryshime në datat e planifikuara për seanca për majin dhe qershorin.