Departamenti Amerikan i Shtetit - Foto: REL

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit: Dënojmë sulmin e 29 nëntorit, mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit

Zëdhenësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se do të mbështesin përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit e sulmit të datës 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Miller në rrjetin social ‘X’ ka shkruar se vlerësojnë ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje.

“Dënojmë sulmin e 29 nëntorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falënderojmë punonjësit e rasteve emergjente dhe të tjerët, përfshirë KFOR-in, për rivendosjen e furnizimeve thelbësore”- ka shkruar ai.

Një shpërthim me eksploziv ndodhi më 29.11.2024 nga i cili u dëmtua kanali i ujit i Ibër-Lepencit.

Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e 29.11.2024 tha se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Tetë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Njeri prej tyre është sjellë sot, më 01.12.2024, në Gjykatën e Prishtinë. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të.

Ministri i Punëve i Serbisë, Marko Gjuriq, ka mbajtur një takim me ambasadorët e QUINT-it, në të cilin është folur lidhur me sulmin terrorist që është kryer më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme serbe, Gjuriq ka thënë në takim se Serbia është e gatshme t’i ndihmojë autoritetet lokale dhe Prishtinën duke furnizuar me energji elektrike deri në riparimin e dëmit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë në riparimin e dëmeve.

Sulmi terrorist kundër kanalit të Ibër-Lepencit, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj njërit prej të arrestuarve

Sulmi terrorist ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, ministri i Jashtëm i Serbisë u takua me ambasadorët e QUINT-it