Peter Stano

Zëdhënësi i BE-së flet për takimin Kurti-Vuçiq, tregon se çka presin

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pritet të fillojë në mesditë dhe parashikohet që të zgjasë deri në orët e hershme të mbrëmjes.

Stano tha se gjithçka varet nga aftësia e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq për t’u pajtuar.

“Takimi parashihet të përfundojë pasdite apo herët në mbrëmje, varësisht se si do të shkojë. Eksperiencat nga e kaluara, na ka mësuar të gjithëve që të mos mundohemi të parashikojmë diçka, sepse mund të shkojë në çdo mënyrë. Gjithçka varet në aftësinë e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb për tu dakorduar për rrugën përpara” – ka deklaruar zëdhënësi Stano në konferencë për media.

Stano shtoi se ajo çka duhet bërë urgjentisht, është që të arrihet progres në mënyrë që të mos ketë kriza siç ka pasur muajve të fundit.

“Çka na duhet urgjentisht është progresi që të mos kemi çfarë kemi pasur muajt e kaluar, krizën konstante në trajtimin e çështjeve nga njëra anë apo tjetra, pra na duhet qasje evropiane për të ecur përpara për të arritur progres që na dërgon tek qëllimi final i dialogut që është marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizim, e dobishme për të dyja palët”- është shprehur zëdhënësi i BE-së.

Stano tha tutje se pritjet e BE-së janë të drejtuara për të dyja vendet teksa rithekson qasjen evropiane dhe angazhime konstruktive nga të dyja palët.

“Sa i përket pritshmërive, pritshmëritë tona janë të drejtuara nga të dyja palët, tek Serbia dhe Kosova , tek liderët e tyre. Këto janë pritshmëritë tona, qasje evropiane për të arritur progresin e nevojshëm dhe kjo arritët përmes kompromiseve, angazhimeve konstruktive dhe duke kuptuar që kjo është mënyra e vetme për të përmbushur strategjitë e tyre sepse të dy palët kanë deklarua se anëtarësimi në BE është strategjia kryesore në rrugën e tyre për një të ardhme më të mirë për popullin e tyre “- shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot pritet të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në takim pritet të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre. “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm’ deklaroi Lajçak.