Buddy Bear

Zbulohet Shtatorja e “Buddy Bear” në Ambasadën e Gjermanisë

Ambasadori gjerman, Christian Heldt zbuloi sot shtatoren e ariut “Buddy Bear”, “Ambasadorin “ e Berlinit, para selisë ambasadës gjermane në Prishtinë.
Ai tha se të ashtuquajturit “Buddy Bears” janë ambasadorët e Berlinit. Sipas tij këta ambasadorë janë po aty për t’i përshëndetur të gjithë njerëzit që e vizitojnë ambasadën Gjermane.
Zbulimi i kësaj shtatoreje  dhe aktivitetet që ambasada gjermane do t’i bëjë gjatë ditëve në vijim, do bëhen me rastin e dhjetë vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës.
“Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm tri ditë pas shpalljes dhe arsyeja se pse po e festojmë këtë disa muaj pas përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka të bëjë me motin më të mirë”, tha ambasadori Heldt.
Sipas tij kjo shtatore do të qëndrojë para ambasadës,  që me lloj-llojshmërinë e ngjyrave do të sjellë më shumë lumturi tek njerëzit që do presin para ambasadës  për t’i marrë vizat.
Ambasadori Christian Heldt tha se shpreson që  njerëzit të cilët presin për të marrë viza të jenë më të paktë, sepse procesi I liberalizimit të vizave është duke ecur.
“Ne po shpresojmë  shumë që  liberalizimi i vizave të ecë me hapa më të shpejtë  dhe po shpresojmë që  liberalizimi i vizave të behet sa më shpejt që të jetë e mundur “, tha ai, duke shtuar se shtatorja e ariut është një simbol përshëndetjeje e ngrohtë nga Berlini për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Festimet do vazhdojnë  në ditët e ardhshme  dhe një kulminacion nga këto do të jetë të shtunën  në bashkëpunim me depon “Hapësira”  në  ish ndërtesën e rilindjes  do të ketë një koncert  dhe motoja e këtij koncerti është që  përderisa kosovarët  e rinj nuk kanë mundësi të shkojnë në Berlin  për të festuar  kemi menduar që t’i sjellim disa DJ nga Berlini këtu në  Prishtinë”, theksoi ai .Artistja që e ka dizajnuar këtë shtatore, Arta Rudaku tha se ngjyrat  e përdorura  tregojnë laramaninë e mendimeve, këndvështrimeve, por gjithashtu tregojnë që jemi shumë të ngrohtë për brenda.
“Kam vendosur  ngjyrën e verdhë , të kuqe këto të cilat janë më të  hapura sepse edhe unë ndihem e tillë, në çdo moment, çdo ditë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, pulla që gjendet tek ariu, portretizon lidhjen në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa dy fytyrat e ndryshme aty, tregojnë që secili jemi të ndryshëm.