Zbulohet plantacioni me kanabis në Malishevë - FOTO

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person nw Malishevë, nën dyshimin se ka kultivuar bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa.

Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas pranimin e informatave për kultivim të bimëve narkotike në një fshat në Malishevë, në koordinim me prokurorinë e shtetit kanë dalur në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë identifikuar 2,520 bimë narkotike, Kanabis Sativa.

Në lidhje mee këtë rast, Policia ka arrestuar të dyshuarin me iniciale A.M dhe kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e tij.

Në komunikatën e Policisë bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar katër fishekë kalibër i panjohur, një automjet/kombi me targa vendore dhe preparate që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Tutje, Policia njofton se gjatë kontrollimit të terrenit jashtë shtëpisë së personit të dyshuar, në një parcelë tjetër janë gjetur edhe 928 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa dhe 624 bimë të vogla narkotike (rasad)  po ashtu të llojit të njëjtë.

Lidhur me rastin me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa bimët e dyshuara janë hequr dhe asgjësuar dhe një sasi prej tyre janë marrë për ekzaminim, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.