Zbulohet plantacion me kanabis në Klinë
Një person është arrestuar gjatë ditës së sotme në Klinë nën dyshimet se i njëjti është pjesë e një grupi i cili kishte mbjellur qindra bimë të llojit kanabis sativa.
Nën urdhërin e prokurorit të shtetit të Pejës, Ersan Qavolli ekipi hetimor i policisë ka bërë sigurimin e perimetrit të plantacionit të kanabisit dhe nisi në orët e pasdites grumbullimin për të bërë tutje edhe shkatërrimin e bimëve narkotike.
Për KALLXO.com prokurori Qavolli tha se një person është i arrestuar dhe disa të tjerë tashmë janë në kërkim.
Në pamjet që ka siguruar KALLXO.com shihet se grupi i dyshuar ishin duke mbikëqyrur vazhdimisht plantacionin pasi që në afërsi të hapësirës së mbjellur me kanabis u panë edhe disa tenda të vendosura.
Brenda tentave u gjet edhe një kallashnikov që dyshohet se i përkiste grupit të identifikuar të lidhur me mbjelljen e kanabisit.
“Janë kontrolluar disa lokacione janë marrë prova materiale të ndryshme të cilat do bëhen pjesë e dosjes hetimore. Janë gjetur edhe armë, një kallashnikov. Rreth 500 bimë dyshohet se janë mbjellur, ekipet e policisë janë duke grumbulluar bimët për t`i bërë gati për shkatërrim”- tha Qavolli.
Rasti ishte duke u hetuar më shumë se një muaj nga prokurori Qavolli.