Zbulohet "fabrika" e kriptovalutave

Dy të rinj dhe një 61 vjeçar dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një strukture për prodhimin e kriptovalutave “të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare, si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit dhe vjedhjen e energjisë elektrike përsa i përket montimit të pajisjeve elektrike, marrjen e energjisë elektrike etj, por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti përsa i përket të ardhurave etj” informon policia e shtetit.

Janë arrestuar Fabjo Braçaj, banues ne Tiranë dhe është shpallur në kërkim shtetasi Fatjon Koçi, banues në Sarandë, ndërsa po procedohet në gjëndje të lirë F. B., 61 vjeç, banues në Fier. Ata po hetohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare, pajisje ndihmëse elektronike etj.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme.

Ky aktivitet bie ndesh dhe me ligjin Nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.

Operacioni i koduar “Fabrika” u ndërmor nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. oranews

Ndryshe trendi i prodhimit të kriptovalutave sidomos nëpërmes keqpërdorimit të rrymës është shumë i shprehur edhe në Kosovë. KALLXO.com ka bërë disa hulumtime dhe ka gjetur se veçanërisht në pjesën e veriut të Kosovës kjo dukuri ka marrë përmasa të keqpërdorimit masiv.