Busti i heroit Rrustem Bruqi. Foto: Djali i heroit Rrustem Bruqi, Leonis Bruqi në Facebook
Zbulohet busti i heroit Rrustem Bruqi në Isniq të Deçanit, Kurti: Lum Kosova që e pati ushtar të saj
26 vjet pas rënies së tij, është përuruar busti i heroit Rrustem Bruqi në sheshin i cili mban të njëjtin emër në fshatin Isniq të Deçanit.
Në këtë ngjarje mori pjesë zëvendëskryeministrja e Kosovës njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, kryeministri Albin Kurti e kishte të pamundur që të jetë i pranishëm në këtë ceremoni, prandaj i ka përcjellur familjes Bruqi një telegram.
“Në pamundësi për të qenë i pranishëm, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i përcolli familjes Bruqi një telegram të cilin e lexoi moderatori i ceremonisë, Shkodran Imeraj” – thuhet në komunikatën e ZKM-së më 03.08.2024, e cila nuk ka specifikuar arsyen e mospjesëmarrjes.
Në letrën e tij, Kurti ka thënë se i vjen mirë që figura e Bruqit prej patrioti po lartësohet e fiksohet në një vepër arti.
“Lum familja Bruqi dhe Isniqi që e rriti e formoi dhe lum Kosova që e pati ushtar të saj deri në vdekjen e tij, Rrustem Bruqin, dëshmorin e lirisë së Kosovës. Lavdi Rrustem Bruqit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë” – ka shkruar Kryeministri në letrën dërguar familjes Bruqi.
I biri i heroit, Leonis Bruqi është shprehur krenar për veprën e babait të tij.
“Babi, emri yt është skalitur me shkronja të arta në kapitullin më të lavdishëm të historisë sē popullit tonë. Duke u përulur para veprës tende madhore, krenohem që jam Biri yt! E gezoftë Isniqi bustin e heroit Rrustem Bruqi” – ka shkruar ai në Facebook më 03.08.2024.