Ecja simbolike për hirë të tetorit rozë. Më 24.10.2024. Foto: Vlera Shabani/KALLXO.com

“Zbulimi i hershëm - Mbijetesë”: Osmani, Kurti e Vitia i bashkëngjiten marshit kundër kancerit të gjirit

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka organizuar një ecje simbolike me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë” në bashkëpunim me organizatën “Jeta Vita”, për të tretin vit radhazi.

Ngjyra rozë mbizotëronte te dhjetëra qytetarë që iu bashkuan kësaj ecjeje që u nis nga sheshi “Ibrahim Rugova” e vazhdoi kah sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Të pranishëm ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Zbulimi i hershëm është mbijetesë sepse është realitet i dëmshuar nga shkenca, prandaj nuk duhet vonuar që vonesa të jetë opsion. Këtë mesazh ia përcjellim secilës grua në Kosovë. Kontrollohuni, mos prisni, merrni masa” – apeloi presidentja.

Themeluesja e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi foli për rrugëtimin e saj kundër kancerit të gjirit, si paciente e më pas si aktiviste.

“Kemi thyer tabutë dhe heshtjes rreth kancerit të gjirit duke i dhënë zë një teme që kërkon ndërgjegjësim të vazhdueshëm” – u shpreh Latifi. 

Ajo shtoi se ndër vite kanë krijuar partneritet të fuqishëm mes të sëmurave dhe mjekëve dhe mes institucuoneve e shoqerisë civile. Latifi shprehi edhe falënderimin e saj ndaj Presidentes për përkrahjen e saj.

Edhe Osmani edhe Latifi përmendën nevojën që institucionet të punojnë edhe më tej për krijimin e kushteve të nevojshme për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit. 

Presidentja tha se tani është radha që në buxhetin e ardhshëm të miratohen kërkesat për shtim të buxhetit të barnave për Klinikën e Onkologjisë.

Nafije Latifi përmendi edhe nevojën e krijimit të një qendreje paliative që do të shërbente për përkujdesjen e pacientëve që janë në fazat e fundit të sëmundjes, shtimin e stafit shëndetësor dhe shtimin e barnave.

Tetori, i njohur si muaji rozë, shënon muajin për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm 0.5 deri në 1% e kancereve të gjirit prekin personat e gjinisë mashkullore.
Ecja simbolike për hirë të tetorit rozë. Më 24.10.2024. Foto: Vlera Shabani/KALLXO.com
Ecja simbolike për hirë të tetorit rozë. Më 24.10.2024. Foto: Vlera Shabani/KALLXO.com