Foto: UN Women Kosovo

Zbehet numri i lexuesve

Fillimi i dhjetorit e fundi i vitit, Bibliotekën Kombëtare e ka gjetur me 1,200 lexues të regjistruar. Shifër kjo që po zbehet ndër vite.

Edhe pse sallat e leximit në Bibliotekë janë të mbushura me lexues të grup-moshave të ndryshme e kryesisht me studentë, numri i atyre që regjistrohen nuk është i kënaqshëm.

“Numri i lexuesve të regjistruar në BKK gjatë vitit 2019 – deri sot është 1,200”, thuhet në përgjigjet e zyrtarëve nga Biblioteka Kombëtare për KALLXO.com.

Sipas tyre buxheti nga Republika e Kosovës për Bibliotekën Kombëtare për vitin 2019 ka qenë 846 mijë 119 euro.

“Ministria e Kulturës ka organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ceremoninë e pranim – dorëzimit të 137 titujve për pasurimin e 37 bibliotekave komunale dhe ndërkomunale në të gjithë territorin e Kosovës”, tha Liri Cami, udhëheqëse e Divizionit të Librit dhe Bibliotekës.

Gjatë këtij viti janë zhvilluar 82 projekte për librin dhe dy ceremoni në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

Buxheti nga MKRS-ja ka qenë  300 mijë  euro për të gjithë Kosovën, 110 libra janë botuar me përkrahjen e tyre, 112 tituj janë blerë  nga shtëpitë botuese dhe 97 libra janë përkrahur financiarisht.

Në vitin 2018 numri i lexuesve ishte 1,641 herë më pak se në vitin 2017  edhe pse me tri biblioteka më shumë.

Me fond të librave 1,775,435 ishin 156,535 lexues në 110 bibliotekat e Kosovës. Ndërsa, fondi i librave në vitin 2017 ishte 1,782,945  me 158 mijë e 176 lexues në 107 biblioteka.

Këto të dhëna janë raporte nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Për numrin e bibliotekave dhe lexuesve për vitin 2019 në gjithë territorin e Kosovës ende nuk ka të dhëna.