Zbatimi i rekomandimeve të Auditorit në komunën e Shtimes

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar kanë organizuar debatin për mbështetjen e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien në institucionet publike.

Redaktori përgjegjës i BIRN-it, Visar Prebreza prezantoi gjetjet e Auditorit komunën e Shtimes, duke thënë se ka pasur përparim në përmisimin e opinionit në krahasim me vitet e kaluara.

“Në dy raportet e fundit që i kemi analizuar kemi vërejtur përmisime, për shkak se vitet e kaluara kryefjala e auditorit, opinioni ka qenë i pamodifikuar me theksim të çështjes, ndërsa në dy vitet e fundit nuk është përsëritur kjo”, tha Prebreza.

Prebreza tha se në numrin e rekomandimeve në dy vitet e fundit është vërejtur keqësim i gjendjes për shkak se në vitin 2017 kanë qenë 10 rekomandime ndërsa në raportin e vitit 2018 ka pranuar 17 rekomandime nga Auditori.

Ai tha se ka një diskrepancë mes qëndrimit të komunës dhe auditorit sa i përket zbatimit të rekomandimeve.

“Auditori thotë se janë plotësuar shtatë rekomandime ndërsa komuna thotë 10 rekomandime”, tha Prebreza.

Prebreza tha se vitin 2018 auditori ka gjetur se një pjesë e madhe e shpenzimeve janë ekzekutuar muajt e fundit të vitit.

“Problem është emërimi i menaxherëve të kontratës që sipas auditorit emërohen personat e njëjtë dhe se ka mungesë të stafit të përgatitur për t’i menaxhuar kontratat”, tha ai.

Ndërsa, për kontratat mbi vepër ai tha se Auditori ka gjetur se personat janë angazhuar më gjatë se sa është caktuar me ligj.

Kurse për sa i përket auditimit të brendshëm Prebreza tha se ka përmirësime sepse përpos drejtorit është angazhuar edhe një person tjetër përgjegjës.

Naim Ismajli, kryetar i komunës së Shtimes tha se organizatat që po merren me këtë çështje as Auditori nuk e kanë adresuar problemin se pse po ndodh kjo.

“Përderisa nuk e adresojmë pse ndodh dhe japim rekomandime kemi me pas këtë situatë. Ne shpeshherë kemi ligje dhe marrëveshje që bëhen nga qeverisja qendrore por në kurriz të pushtetit lokal” tha Ismajli.

Ai tha se asnjë vonesë të pagesës nuk e kanë bërë për operatorët, për të gjithë buxhetin që kemi planifikuar.

Por sipas tij ka vonesë kur bëhen pagesat përmes gjykatave dhe përmbaruesve.

“Ministria e Shëndetësisë, ajo e Arsimit prodhojnë obligime në këto sektorë që nuk ka mundësi të mbulohen me buxhetin aktual të planifikuar. Kur kërkojmë buxhet për atë që jemi ngarkuar. Kur kërkojmë thonë nuk kemi buxhet”, tha ai.

“Kur nuk e shpenzon shkruan se buxhetin se keni shpenzuar mbi 75% keni performancë të keqe, e nëse e keni shpenzuar ke tejkaluar planifikimin e prokurimit. Ne njërën kemi me zgjedh. Ne e zgjedhim këtë të dytën”, tha Ismajli.

Ismajli tha se Ligji i Financave ndeshet direkt me Ligjin e Zjarrfikësve.

Sipas tij, zjarrfikësit me ligj kanë kaluar në pushtetin qendror dhe agjensioni i emergjencave e menaxhon këtë ndërsa buxhetin e derdhin komunat.

Ndërsa në lidhje me tatimin në pronë ai tha se rekomandimi do të eliminohet kur të ndryshojë rregullorja e caktuar.

“Është eksperimentuar me shtimin. Kompania të cilës iu ka besuar ky vlerësim ka pasur gabime katastrofike. Ka bërë rritje të numrit të pronave që nuk kanë lidhje me tregun. Dhe këto ndikojnë në rënien e të hyrës në tatimin e pronës. Ky rekomandim do ndodh kur ndryshon rregullorja”, tha ai.

Bujar Bajraktari nga Zyra Kombëtare e Auditimt tha se komuna e Shtimes i ka zbatuar shtatë rekomandime, një pjesërisht, katër nuk janë zbatuar dhe pesë janë të mbyllura.

Sipas tij, dy prej të mbyllurave kanë të bëjnë me të hyrat.

“Ne i kemi konsideruar të mbyllura dhe nuk kërkohet prej komunës që t’i zbatoj”, tha ai.

Ndërsa sa i përket performancës, ai tha se në vitin e fundit nuk kanë dhënë vërejtje për shkak të vështirësive që kanë komunat dhe i kanë paraqitur në kategori se ka sa kanë shpenzuar.

Asamblisti Fehmi Hysenaj, nga NISMA tha se nuk e ka kuptuar pse janë shpenzuar 5 mijë e 700 euro transport në ditët e Masakrës së Reçakut.

“Çka ka qenë ai shpenzim transporti në ditët e masakrës së Reçakut diku 5 mijë  e 700 euro ide nuk kam çfarë transporti mundet të bëhet me atë shumë” tha ai.

Kryetari Ismajli tha se për transportin në Reçak, pagesa ka qenë për biletën e Uilliam Uollkerit.

Shefki Dauti nga PDK u shpreh i pakënaqur në lidhje me kontratat kolektive dhe shujtat e mësimdhënësve.

Sipas tij, padia e 400 mësimdhënësve ndaj komunës do të ishin vlerë e madhe për shpenzimet kontingjente.

“Nëse unë jam mësimdhënëse dhe kontrata kolektive ka prodhuar obligime për komuna në përgjithësi. Po e marrim parasysh që mbi 400 mësimdhënës janë dhe janë të detyruar ta padisin komunën për këto shujta. 400 mësimdhënës ka një 1 mijë euro 400 mijë euro. Për komunën kjo është një vlerë e madhe që e rrit vlerën te shpenzimet kontingjente”, tha ai.